​Votimi me postë, refuzohen rreth 2400 pako me fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se po vazhdon procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në 38 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa në 9 komuna ky proces është përmbyllur. Deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet nga mbi 1,100 vendvotime. Po ashtu, kanë përfunduar procedurat për votimin jashtë vendit.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi njoftoi për ecurinë e aktiviteteve zgjedhore në ditën e tretë pas zgjedhjeve.

Në 38 Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon procesi i verifikimit të rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe kuvendet komunale, si dhe numërimi i votave për kandidatët për asamble komunale. Deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet nga 1,133 vendvotime për kryetarë komunash dhe nga 1,084 vendvotime për subjektet politike. Po ashtu, janë numëruar votat e kandidatëve nga 1,084 vendvotime.

Aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 9 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime dhe Klinë.

Rezultatet po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së: resultslocal2025.kqz-ks.org, ku janë të qasshme të dhënat për kryetarët e komunave, subjektet politike dhe kandidatët për kuvendet komunale.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur skanimi i listës së votuesve nga vendvotimet e rregullta, për të siguruar që nuk ka votime të dyfishta para fillimit të numërimit të votave me kusht.

Numri i zarfeve me fletëvotime nga votimi me kusht është 2,119, ndërsa nga programi me ekipet mobile janë regjistruar 3,467 votues me nevoja të veçanta.

Sa i përket votimit jashtë Kosovës, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga 23 kuti postare në 22 shtete. Janë pranuar gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime.

Deri në orën 16:00 të ditës së mërkurë janë vlerësuar mbi 18,000 pako, nga të cilat janë aprovuar mbi 15,600, ndërsa janë refuzuar rreth 2,400, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit.

Në fund të këtij procesi, KQZ do të publikojë të dhënat përfundimtare për numrin e pakove që do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Go to TOP