Agjenda e Gjelbër për Ballkanin në fokus të ministrave në Dubrovnik
Nesër në Dubrovnik do të mbahet Takimi i Dytë Ministror mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë (BMZ), me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe nën Kryesimin e Mbretërisë së Bashkuar të Procesit të Berlinit 2025.
Takimi do të mbledhë ministrat e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm nga Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Komisionit Evropian, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Kroacisë dhe partnerë të tjerë rajonalë e ndërkombëtarë. Qëllimi kryesor është diskutimi i hapave të ardhshëm në zbatimin e Agjendës së Gjelbërt, e cila përafron rajonin me Marrëveshjen e Gjelbërt Evropiane dhe synon krijimin e një të ardhmeje të qëndrueshme e klimatikisht neutrale.
Fjalët hyrëse do t’i mbajnë Amer Kapetanović, Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së; Jan Dusik, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në DG CLIMA të Komisionit Evropian; Johann Saathoff, Sekretar Shtetëror Parlamentar në BMZ; Javed Patel, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kroaci; dhe Marija Vučković, Ministre e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Tranzicionit të Gjelbërt të Kroacisë.
Gjatë panelit ministror do të shqyrtohet progresi i deritanishëm i Agjendës së Gjelbërt, ndërsa pritet që ministrat e BP6 të miratojnë Deklaratën e Dubrovnikut, që përfshin katër dokumente rajonale kryesore:
Planin e Veprimit të Rishikuar të Agjendës së Gjelbërt 2025–2030,
Planin e Përshtatjes Klimatike për BP6,
Planin Rajonal të Veprimit për Parandalimin e Ndotjes nga Plastika dhe Mbetjet Detare,
si dhe Kornizën e Planit Strategjik të Biodiversitetit të BP6 deri në vitin 2030.
Me miratimin e këtyre dokumenteve, rajoni kalon nga faza e planifikimit në fazën e zbatimit, duke vendosur objektiva konkrete për tranzicionin energjetik, qëndrueshmërinë klimatike, ekonominë qarkulluese dhe mbrojtjen e natyrës.
Ky takim zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit 2025 dhe shërben si forumi vjetor kryesor për vlerësimin e progresit dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm drejt një Ballkani Perëndimor më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
