Abdixhiku: LDK u rikthye parti e parë në Prishtinë pas 12 vitesh – jo me propagandë, por me punë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve lokale duke theksuar se rikthimi i LDK-së si forca e parë në Prishtinë pas 12 vitesh është rezultat i punës dhe përkushtimit, e jo i propagandës apo manipulimeve mediatike.
Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku tha se LDK ka fituar besimin e qytetarëve të kryeqytetit falë punës së bërë gjatë mandatit katërvjeçar të kryetarit Përparim Rama dhe reformave të brendshme në parti.
“Në Prishtinë, jemi rikthyer si parti e parë pas 12 vitesh, jo me propagandë, as me exit-polle, e edhe më pak me zhurmaxhi mercenarë. Të gjithë kundër ditë e natë, pa ndalë. Nuk jemi marrë fare me ta. Në Prishtinë, jemi rikthyer veç me punë”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se struktura aktuale e LDK-së në kryeqytet është “model për çdo qytet në vend”, me një organizim të fortë e funksional në pesë degë dhe 83 nëndegë.
“Mendimi qytetar nuk ndërtohet nga propaganda helmuese e mercenarizmi i mendimit. Nuk ju shohin, nuk ju besojnë. Mendimi qytetar ndërtohet veç nga puna dhe përpjekja e drejtë politike ë atë që qytetarët e shohin, e ndjejnë dhe e besojnë!”, theksoi Abdixhiku duke shtuar se partia do të vazhdojë në këtë rrugë të punës dhe përkushtimit.
Sipas tij, rikthimi i LDK-së në krye të Prishtinës shënon një kthesë të rëndësishme politike dhe besimin e rinovuar të qytetarëve në qeverisjen lokale të bazuar në rezultate konkrete. /Kosova.info/
