Surdulli pranon rezultatin zgjedhor: Faleminderit qytetarë të Kamenicës, mbeteni të respektuar për jetë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka falënderuar qytetarët për përkrahjen gjatë fushatës zgjedhore dhe ka pranuar me dinjitet rezultatin e zgjedhjeve, në të cilat LDK është renditur e treta.
Në një reagim publik, Surdulli shprehu mirënjohje për të gjithë kandidatët për delegatë të LDK-së, aktivistët dhe qytetarët që kontribuuan gjatë fushatës, si dhe për të gjithë votuesit që i dhanë besimin e tyre. Ai po ashtu uroi kryetarin aktual, Kadri Rahimaj, për fitoren dhe kandidatët e tjerë për rezultatet e arritura.
“Edhe pse nuk arritëm rezultatin që e dëshiruam, ne e pranojmë vullnetin tuaj dhe rezultatin zgjedhor. LDK-ja do të vazhdojë të jetë zë i qytetarëve duke punuar me përkushtim për të ardhmen e Kamenicës,” tha Surdulli.
Ai theksoi se kandidatura e tij ka ardhur nga dëshira për ta udhëhequr komunën me përgjegjësi dhe përvojë, por shprehu keqardhje që puna dhe kontributi i tij i mëparshëm si profesor doktor i matematikës dhe ish-kryetar i komunës për 11 vite, nuk u vlerësuan me votë.
“Shumica e juaj të mirat shpejt i harruan, por unë nuk i kam harruar dhe më vjen mirë që të gjithë i shfrytëzoni ato. Megjithatë, nga ana ime mbeteni të respektuar për jetë,” shtoi ai.
Në fund, Surdulli theksoi se jetën do ta vazhdojë në Karaçevë duke shprehur shqetësimin e tij për zbrazjen dhe degradimin e komunës së Kamenicës. Ai paralajmëroi se ky trend negativ mund të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, por uroi që të ndodhë e kundërta për të mirën e qytetarëve. /Kosova.info/
