Fejzullahu: Furnizimi me ngrohje është stabil për 25 mijë konsumatorë

Afërdita Uka Fejzullahu, zëdhënëse e Termokosit, ka theksuar se përgatitjet nga ndërrmarrja Termokos janë bërë që nga përfundimi i sezonit të kaluar ngrohës 2024-2025, pra që nga prilli.

Ajo për “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK  tha se “Që atëherë kemi pasur të gatshëm planin dhe kemi filluar të gjitha përgatitjet dhe ndërhyrjet e nevojshme në sistemin e ngrohjes qendrore, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për fillimin e sezonit të ri”.

Tutje ajo tregoi se megjithatë, një përkeqësim i menjëhershëm i motit ndodhi në mënyrë të papritur dhe në asnjë stacion meteorologjik nuk ishte parashikuar në ato përmasa.

“Për këtë arsye, ne filluam furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët tanë, të cilët janë të kyçur në rrjetin tonë të ngrohjes, 8 ditë para afatit zyrtar të fillimit të sezonit ngrohës”, pohoi ajo.

“Aktualisht, furnizimi me ngrohje është stabil për të gjithë konsumatorët tanë, rreth 25 mijë sosh, që janë të kyçur në rrjetin tonë”, shtoi  Uka Fejzullahu.

Ajo po ashtu tha se në të kaluarën, rrjeti i ngrohjes ka përfshirë vetëm zonat e urbanizuara të qytetit të Prishtinës, por që nga viti 2014 janë krijuar mundësi për zgjerimin e rrjetit edhe në lagje të tjera, duke shtrirë shërbimin për më shumë konsumatorë.


Go to TOP