Deri kur nën hijen e komunistëve?!
Shkruan: Bajram MJEKU
Shtatë shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, përfshirë këtu edhe paralelet e ndara në komunën e Prishtinës mbajnë emra komunistësh, ndërkohë që edhe një Gjimnaz në Prishtinë, mban emrin e komunistit Xhevdet Doda!
Fatkeqësisht emra komunistësh, mbajnë dhjetëra institucione arsimore e kulturore dhe qindra rrugë gjithandej Kosovës…
Një shoqëri si kjo jona, e cila për gjysmë shekulli është terrorizuar nga regjimi komunist dhe pranon që edhe mbas pavarësisë së Kosovës, institucionet arsimore e kulturore të mbajnë emra “personalitetesh të shquara” të atij regjimi, është për t’u studiuar.
Më e çuditshme se kjo është fakti, kur autoritetet e Komunës së Prishtinës më 30 gusht të vitit ‘99, sollën vendim që Biblioteka e qytetit në Prishtinë të mbajë emrin e Hivzi Sylejmanit, i cili nga viti 1945 e më vonë ishte kryetar i Gjyqit dhe së bashku me kryeprokurorin e Kosovës Ali Shukrinë, më saktë me antishqiptarin më të madh të shekullit të kaluar, ekzekutuan mijëra vite burg kundër nacionalistëve shqiptarë të kohës, të cilët as më shumë e as më pak luftuan për një Kosovë të pavarur.
Emri i Hivzi Sylejmanit shquhet veçanërisht në Procesin e Prizrenit, i cili u mbajt në gjysmën e dytë të vitit 1945. Ai së bashku me Ali Shukrinë, dënuan me vdekje shumë nacionalistë shqiptarë, të cilët kundërshtuan mbetjen e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë.
Shumica nga ne që kemi rastisur t’i takojmë të persekutuarit shqiptarë, Ali Shukrinë dhe Hivzi Sylejmanin ndryshe i quanin “binomi kriminal!”.
Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës dhe autoritet lokale, duhet që këtë çështje ta trajtojnë një herë e mirë. Nëse institucionet arsimore e kulturore në Republikën e Kosovës vazhdojnë të mbajnë emra komunistësh, atëherë do të ishte fyerja me e madhe kundër gjithë atyre shqiptarëve që u sakrifikuan dhe ranë për një Kosovë të lirë e të pavarur.
