Haradinaj në Deçan: Ramosaj ka vullnet e energji për punë e projekte të reja
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubimin përmbyllës zgjedhor në Deçan. Kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka kërkuar mbështetjen dhe besimin e qytetarëve për kandidatin e tyre për kryetar, Bashkim Ramosaj.
Haradinaj, ka thënë se kandidati i tyre që garon edhe për një mandat, Bashkim Ramosaj, e meriton votën e qytetarëve të Deçanit, pasi sipas tij, Ramosaj ka vullnet e energji për punë e projekte të reja për këtë komunë.
“Është nder i madh që i bëni Deçanit. E kam përcjellë Ramosajn, në punë. Projektet që s’ma ka marr mendja që bohet i ka pru e janë realitet. Pse Bashkim Ramosaj e meriton votën e juaj. Te gjitha vlerat që i ka Deçani janë bashkuar te ky njeri. Njeri ka vullnet e energji për punë”, ka thënë Haradinaj.
Në fjalën e tij, kandidati për kryetar të Deçanit Bashkim Ramosaj, tha se ai dhe ekipi i tij, kanë një platformë konkrete që parasheh projekte e investime kapitale në këtë komunë.
“Ne flasim me punë. Ne jemi krenar për zhvillim ekonomik e zhvillimin e turizmit. Koncepti i krijuar në këtë qytet është i matshëm, ky koncept do të jetë synimi i të gjithë neve. Është besim që ka me u respektuar. Ju ftoj me qenë bashkë në këto zgjedhje. Dua me bë një thirrje për krejt juve. Për punë të mira e zgjidhje të mira të këtij qyteti, për me bë një vend të jetueshëm. Obligim i neve që e kërkojmë besimin e juaj”, ka thënë Ramosaj.
AAK në këtë tubim prezantoi edhe kandidatët për kuvendin komunal të Deçanit.
