OSBE shpreh zhgënjim ndaj vendimit të KQZ-së për mosakreditimin e mediave në gjuhën serbe

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar me zhgënjim të thellë pas vendimit të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të abstenuar ose votuar kundër kërkesave për akreditim të mediave në gjuhën serbe dhe të tjera, për mbulimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Në deklaratën e publikuar, OSBE thekson se zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente kërkojnë qasje të barabartë për të gjitha mediat, pa dallim gjuhe apo përkatësie redaktoriale.

“Kufizimi i akreditimit të medias në bazë të bashkësisë së perceptuar, gjuhës ose përkatësisë redaktoriale kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale,” thuhet në reagim.

Misioni thekson gjithashtu se qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve është pjesë themelore e kornizës multietnike dhe demokratike të Kosovës dhe thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.

“Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është i domosdoshëm për të shmangur perceptimin e praktikave diskriminuese dhe për të mbështetur pjesëmarrjen e informuar të të gjitha komuniteteve,” thuhet më tej në komunikatë.

Në fund, OSBE riafirmon përkushtimin e saj për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, pluralizmit të mediave dhe qasjes së barabartë në informacion për të gjitha komunitetet duke u bërë thirrje partive politike që të respektojnë këto vlera demokratike dhe standarde ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP