Lushaku falënderon ekipin e Drejtorisë së Mobilitetit për 100 ditë punë: Çdo sukses është rezultat i përkushtimit tuaj
Donat Lushaku, drejtor i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës dhe kandidat për Asamblenë Komunale nga LDK me numër 11, ka shprehur mirënjohje për punën dhe përkushtimin e ekipit të tij në 100 ditët e para të funksionimit të Drejtorisë së re të Mobilitetit, e themeluar më 1 korrik.
Në një postim falënderues, Lushaku vlerësoi angazhimin e kolegëve dhe punëtorëve që, sipas tij, kanë kontribuar në realizimin e shumë projekteve të rëndësishme për kryeqytetin. Ai veçoi bashkëpunëtorët Luftar Braha, Gent Sejdiu, Enver Kadriu, Halil Halili, Besart F. Peshku, Arjana Saraçi, Lejla Rama Gashi, Blerta Ibishi, Vjosa N. Isufi, Argjent Hyseni dhe Endrit Rexhepi për punën e palodhshme dhe profesionalizmin e tyre.
“Transporti urban, bileta e integruar, linjat sekondare dhe zgjatjet në lagje e fshatra, kuleta digjitale, shenjëzimet horizontale e vertikale, siguria në udhëkryqe, shkollat dhe parqet, mirëmbajtja e semaforëve, pritoret e reja – të gjitha këto janë rezultat i përkushtimit tuaj dhe operatorëve përgjegjshëm”, theksoi Lushaku.
Ai përmbylli falënderimin e tij me mirënjohje ndaj ekipit duke shtuar se puna e tyre përbën bazën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të sigurt të mobilitetit në Prishtinë. /Kosova.info/
