Ismaili e Rafuna diskutojnë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, priti në takim zyrtar Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, me bashkëpunëtorë, për të diskutuar rreth zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit financiar në vend.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili informoi  kryetarin Rafuna për aktualitetet e sektorit financiar dhe për angazhimin e BQK-së në krijimin e politikave të qëndrueshme që rrisin stabilitetin financiar dhe promovojnë qasjen, edukimin dhe gjithëpërfshirjen financiare.

U diskutuan veprimet për avancimin e kornizës ligjore, rregullative dhe infrastrukturore, duke përfshirë procesin e pritshëm të anëtarësimit në SEPA dhe projektin e pagesave të shpejta (TIPS Clone), të cilat u mirëpritën dhe mbështetën nga OEK.

“Takimi përfshiu gjithashtu diskutime mbi nevojën për avancimin e rregullativës për kanale alternative të financimit përmes tregut të kapitalit, si dhe për përdorimin e të dhënave të publikuara mbi ekonominë dhe sektorin financiar për promovimin e investimeve të huaja”, thuhet në njoftimin .

Nga ana e tij, Kryetari i OEK-ut prezantoi aktivitetet për promovimin e ekonomisë së Kosovës tek investitorët rajonalë dhe vendorë, duke falënderuar Guvernatorin për përkushtimin në mbështetjen e qasjes në financa dhe stabilitetit të sektorit financiar.

Takimi është pjesë e avancimit të dialogut institucional dhe palët theksuan nevojën për komunikim të vazhdueshëm në interes të përbashkët. /Kosova.info/


Go to TOP