Bahri Gashi: Punëtorët e komunës dhe ndërmarrjeve publike rrezikojnë pagat për shkak të mosvotimit të buxhetit

Pas dështimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku mungesa e asamblistëve të PDK-së dhe LVV-së bëri që të mos ketë kuorum për miratimin e buxhetit 2026, ka reaguar shefi i Grupit të Asambleistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bahri Gashi, shkruan Kosova.info.

Në reagimin e tij, Gashi ka shprehur keqardhje për mosmbajtjen e seancës dhe ka theksuar se grupi i AAK-së ishte plotësisht i gatshëm të votonte buxhetin për të mos penguar punët komunale dhe pagesat ndaj ndërmarrjeve publike.

“Sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës u mbajt Seanca e Jashtëzakonshme për buxhetin.
Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së disa kolegëve, nuk pati kuorum dhe seanca dështoi.
Ne, si Grupi i Asambleistëve të AAK-së, shprehëm gatishmëri të plotë për ta votuar buxhetin dhe për të mundësuar vazhdimin e punëve që kanë mbetur pezull, si dhe pagesat ndaj Ndërmarrjeve Publike, që janë obligim i Komunës dhe kësisoj punëtorët e Komunës dhe të Ndërmarrjeve Publike do të mbesin pa paga.
Mosvotimi i buxhetit është goditje për qytetarët, për punët publike dhe për shërbimet komunale.
Prandaj, edhe një herë, shprehim indinjatën tonë të thellë për këtë situatë dhe bëjmë thirrje që interesat qytetare të vihen mbi çdo interes partiak,” ka deklaruar Gashi./Kosova.info/

Go to TOP