Sondazh: Përparim Rama (LDK) ruan epërsinë ndaj Hajrulla Çekos (VV) në Prishtinë
Një sondazh i zhvilluar nga Kosova.info në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor” tregon se gara për kryetar të Komunës së Prishtinës mbetet e hapur dhe dinamike midis kryetarit aktual Përparim Rama (LDK) dhe kandidatit të Vetëvendosjes, Hajrulla Çeko.
Rezultatet pasqyrojnë një balancë të fortë mes dy partive kryesore, me një epërsi të lehtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ruan një bazë të qëndrueshme votuesish. Subjektet e tjera si PSD dhe AAK rezultojnë me ndikim më të kufizuar në garë.

Sondazhi është realizuar në periudhën 22 shtator – 3 tetor 2025, me 1,380 të intervistuar nga qyteti i Prishtinës dhe zonat periferike si Mati 1, Kalabria, Bregu i Diellit, Ulpiana, Veternik, Dardani dhe Velania.
Anketimi është kryer si në formë fizike ashtu edhe online, duke respektuar kriteret e anonimitetit, përfaqësimit gjinor dhe moshës, në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”.
Sipas të dhënave, Përparim Rama (LDK) prin me 34.2%, duke ruajtur avantazhin ndaj Hajrulla Çekos (VV), i cili renditet i dyti me 31.7%.
Uran Ismajli (PDK) ndodhet në vend të tretë me 25.4%, duke dëshmuar një përkrahje të qëndrueshme, ndërsa Besa Shahini (PSD) me 4.6% dhe Bekë Berisha (AAK) me 3.1% mbeten me ndikim më të vogël në prurjen elektorale.
Analistët e Kosova.info vlerësojnë se këto shifra tregojnë një garë treshe të fortë në kryeqytet, ku çdo lëvizje në fushatë mund të ndikojë në balotazh ose të përcaktojë fituesin qysh në raundin e parë.
Ky sondazh për Komunën e Prishtinës është pjesë e serisë së matjeve të opinionit që Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” po zhvillojnë në të gjitha komunat e Kosovës, me synim pasqyrimin e trendeve dhe prirjeve politike në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025./Kosova.info/
