Sondazh: Shpejtim Bulliqi (VV) dhe Ekrem Hyseni (LDK) në garë të ngushtë në Podujevë
Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon një garë jashtëzakonisht të ngushtë për kryetar të Komunës së Podujevës midis Shpejtim Bulliqit nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Ekrem Hysenit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas të dhënave, dy kandidatët kryesorë po garojnë kokë më kokë, me një diferencë të vogël që mund të përmbyset lehtësisht deri në fund të fushatës. PDK dhe Nisma Socialdemokrate mbeten më prapa, me përkrahje të kufizuar në nivel lokal.

Sondazhi është zhvilluar gjatë periudhës 25 shtator – 3 tetor 2025, me 715 të intervistuar në qytetin e Podujevës dhe zonat përreth: Lluzhan, Orllan, Dobërdol, Gllamnik, Dumnicë e Poshtme dhe Batllavë. Pyetësori është realizuar në formë fizike dhe online, në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, duke respektuar standardet e anonimitetit dhe përfaqësimit të balancuar gjinor e demografik.
Sipas rezultateve, Shpejtim Bulliqi (VV) prin me 42.2%, ndërsa Ekrem Hyseni (LDK) ndjek ngushtë me 38.6%. Diferenca e vogël prej vetëm 3.6 pikë përqindjeje tregon një rivalitet të hapur që mund të ndryshojë deri në ditën e zgjedhjeve. Në vend të tretë renditet Isak Shabani (PDK) me 14.4%, ndërsa Xhemajl Hasani (Nisma) ka 4.8%, duke shënuar një rënie krahasuar me ciklin zgjedhor të kaluar.
Analistët e Kosova.info vlerësojnë se Podujeva mbetet një nga komunat më të paparashikueshme të këtij procesi zgjedhor, ku çdo lëvizje në fushatë mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Ky sondazh për Komunën e Podujevës është pjesë e serisë së matjeve që Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” po zhvillojnë në të gjitha komunat e Kosovës, me qëllim të pasqyrimit të trendeve elektorale në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025./Kosova.info/
