Sondazh: Ilir Ferati (LDK) prin në Istog – Ukë Blakaj (AAK) i dyti me diferencë të dukshme

Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, kryeson garën për kryetar të Komunës së Istogut me një mbështetje të konsiderueshme ndaj rivalëve të tij politikë.

Rezultatet e sondazhit konfirmojnë se LDK ruan epërsinë tradicionale në këtë komunë, ndërsa AAK, Vetëvendosje dhe PDK renditen pas saj me përqindje më të ulëta të mbështetjes.

Sipas rezultateve, Ilir Ferati (LDK) prin me 50.5%, një mbështetje që e pozicionon si favorit të qartë dhe me potencial për të fituar që në raundin e parë. Në vend të dytë renditet Ukë Blakaj (AAK) me 24.2%, duke ruajtur një bazë të qëndrueshme elektorale, kryesisht në zonat rurale. Astrit Bujupi (VV) ka 13.3%, ndërsa Ali Nimanaj (PDK) 12.0%, duke treguar një garë të ngushtë për vendin e tretë.

Analistët e Kosova.info vlerësojnë se këto rezultate konfirmojnë se Istogu mbetet një nga bastionet më të sigurta të LDK-së, ndërsa subjektet e tjera po tentojnë të konsolidojnë mbështetjen në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit 2025.

Ky sondazh për Komunën e Istogut është pjesë e serisë së matjeve që Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” po zhvillojnë në të gjitha komunat e Kosovës, për të pasqyruar trendet elektorale në prag të zgjedhjeve lokale të këtij viti./Kosova.info/


Go to TOP