Jashari: Vuçiç po vazhdon të ndërhyjë në vullnetin politik të serbëve të Kosovës
Avokati Arbër Jashari ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili njoftoi se brenda dhjetë ditëve të ardhshme do të hapen 400 vende të reja pune në sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës – sistem paralel që funksionon jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.
Sipas Jasharit, ky veprim përbën një formë të vazhdueshme të ndërhyrjes politike të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, përmes ndikimit direkt mbi komunitetin serb që jeton në vend.
“Vuçiç po vazhdon të përdorë mjete ekonomike dhe sociale për të ndikuar në vullnetin politik të qytetarëve serbë të Kosovës, duke i orientuar ata drejt subjektit politik që mbështetet nga Beogradi – Listës Serbe,” ka deklaruar Jashari.
Ai ka kujtuar se edhe në të kaluarën janë parë përpjekje të ngjashme përmes skemave paralele, ndarjes së ndihmave apo formave të tjera të presionit dhe ndikimit mbi votuesit serbë në Kosovë.
Jashari theksoi se Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës garantojnë zgjedhje të lira dhe demokratike, mirëpo “këto parime cenohen nëse komuniteti serb nuk ka mundësinë të vendosë lirshëm dhe pa imponime për përfaqësuesit e vet politikë”.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të mbeten vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje që rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.
