Buzhala: Mos u tutni nga Sami Lushtaku – është më i ndershëm e më burrë se Albin Kurti dhe shumë të tjerë

Gazetari dhe analisti Berat Buzhala ka reaguar ashpër ndaj disa zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët sipas tij po përpiqen të distancohen nga Sami Lushtaku, nga frika se mund të humbasin vota.

Në një postim të gjatë, Buzhala thekson se figura e Lushtakut ka qenë vendimtare për mbajtjen e Drenicës brenda PDK-së, sidomos pas dërgimit të Hashim Thaçit në Hagë.

“Kurrgjë nuk më irriton më shumë te PDK, sesa kur i shoh disa zyrtarë të kësaj partie, nëpër komuna të ndryshme duke u munduar të distancohen prej Sami Lushtakut, prej tutes që po humbin vota. Mos t’ish kane Sami Lushtaku, PDK e kish humbë Drenicën, të dy komunat, e mandej gradualisht ish tkurre në një subjekt të parëndësishëm politik,” ka shkruar ai.

Buzhala ka kujtuar se para katër vjetësh Lushtaku “ia ka dalë ta ndalë strategjinë e Albin Kurtit për të marrë Skënderajn” dhe se, sipas tij, ky fakt nuk duhet harruar.

Ai u bëri thirrje kandidatëve të PDK-së në komuna të ndryshme që të mos hezitojnë ta kenë pranë Lushtakun në fushatat e tyre:

“Po të isha kandidat i PDK-së për Dragash, do ta lutesha Saminë të vinte e të më përkrahte; njësoj edhe në Klinë apo kudo tjetër. Mos u tutni o burra, se Sami Lushtaku është më i ndershëm e më burrë se Albin Kurti e se krejt ju bashkë.”

Në postimin e tij, Buzhala gjithashtu e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke e akuzuar për hipokrizi dhe për “rehatimin e familjes së tij në Norvegji, ndërsa ata që luftuan për Kosovën sot jetojnë me vështirësi”.

“Albin Kurti, që familjen e vet e ka rehatu në shtetin më të pasur në Evropë – Norvegji, do ta kishte për kënaqësi që ata që dhanë gjithçka në luftë, sot t’i shkojnë te dera për ndihma,” ka shkruar ai.

Në fund, Buzhala e ka cilësuar Lushtakun si “mik të afërt dhe njeri të respektuar” duke shtuar me keqardhje se “fatkeqësisht koha nuk po premton për t’u takuar aq shpesh sa do të donte”. /Kosova.info/


Go to TOP