Bislimi nga Stublla: Vitia ecën përpara me të gjitha fshatrat, pa lënë askënd pas
Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Vitisë, Labinot Bislimi, ka zhvilluar sot një takim me qytetarët e Stubëllës, një nga fshatrat më me histori dhe traditë të kësaj komune.
Në këtë aktivitet, Bislimi ishte i shoqëruar nga nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, dhe kandidati për asamblist, Luz Koliqi, ku bashkëbiseduan me banorët për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të fshatit dhe të gjithë komunës.
“Sot, në Stubëll! ❤️ Një nga fshatrat më historikë të Vitisë, me prani të Besnik Tahirit, në këtë vend që ka dhënë emra, vlera dhe mbart potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim,” tha Bislimi.
Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha fshatrave në proceset zhvillimore duke u zotuar për një qeverisje lokale gjithëpërfshirëse.
“Bashkë me Luz Koliqin kujtuam rrënjët, por edhe bashkëbiseduam me stubllanët mbi atë që na pret përpara: drejt një Viti që ecën me të gjitha fshatrat e saj, pa lënë askënd pas,” u shpreh Bislimi.
Kandidati i AAK-së shtoi se Stubëlla është pjesë e pandashme e Vitisë, dhe askush nuk duhet ta lërë pas dore në zhvillimin komunal.
“Stubëlla është e Vitisë, prandaj, nuk guxon kush ta lë anash,” përfundoi ai. /Kosova.info/
