Selimi për Kosova.info: Prishtina duhet të zhvillohet edhe përtej qytetit, nëpër fshatra e fusha
Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Prishtinës, Fatmir Selimi, me numër rendor 111, në një prononcim për Agjencinë e lajmeve Kosova.info, ka folur për programin e tij për bujqësi dhe zhvillim rural duke theksuar nevojën për një qasje të re, efikase dhe të drejtë ndaj fermerëve dhe zonave rurale të kryeqytetit.
Selimi tha se, ndonëse Komuna e Prishtinës ndan çdo vit 2 deri në 3 milionë euro për bujqësi dhe zhvillim rural, rezultatet mbeten të kufizuara dhe shpesh të shoqëruara me keqpërdorime e qarkullim të pajisjeve të njëjta.
“A ka zhvillim? Po, aty-këtu ka, por fatkeqësisht ka edhe shumë keqpërdorime. Prandaj duhet të ndryshojmë qasje. Aplikimet për grante duhet të jenë të hapura gjatë gjithë vitit, e jo vetëm një ose dy herë,” theksoi Selimi.
Në programin e tij, ai parasheh:
Mbështetje 100% për fidane cilësore për fermerët që mbjellin pemë, me kusht që të kenë kontratë me pika grumbulluese;
Bashkëfinancim 50% me komunën për ndërtimin e serave;
Subvencionim të kamatës për investime që ndihmojnë përballimin e ndryshimeve klimatike dhe për instalimin e paneleve solare;
Grante për çiftet e reja që jetojnë në zonat rurale dhe duan të investojnë në bujqësi, punime druri apo shërbime artizanale dhe
Mbështetje për familjet rurale me 1,000 euro për fëmijën e parë, 2,000 për të dytin dhe 3,000 për të tretin.
Ai gjithashtu ka paraparë projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe mjedisore, si rregullimi i shtretërve të lumenjve, ndërtimi i rrugëve që lidhin Gollakun me Prishtinën (Butofc–Grashticë dhe Mramor–Rruga A), si dhe lidhja e fshatrave bujqësore me sistemin e ujitjes Ibër–Lepenc.
Në planin social, Selimi propozon ndërtimin e qendrave për të moshuar, qendra ditore për personat me demencë, si dhe një qendër për saja në rajonin e Gollakut, përmes partneriteteve publiko–private, me transport dhe shërbime mjekësore të garantuara nga komuna.
Po ashtu, programi i tij përfshin përmirësimin e infrastrukturës në fshatra si Mramor, Llukar, Barilevë e të tjera duke siguruar ujësjellës, kanalizim, ndriçim publik, zgjerim rrugësh dhe shërbime mjekësore 24-orëshe.
Në fund, Selimi ka theksuar për Kosova.info se Prishtina duhet të zhvillohet në tërësi, si qytet dhe si komunë me potencial të madh bujqësor e njerëzor.
“Prishtina është e jona – e qytetit, e fshatrave dhe e të gjithë atyre që duan ta zhvillojnë me punë e ndershmëri,” ka përfunduar Fatmir Selimi. /Kosova.info/
