PDK në Podujevë, Shabani premton zhvillim ekonomik, arsim e shëndetësi

Me kërkesën që llapjanët t`i japin një mundësi për një qeverisje ndryshe, Isak Shabanit, kandidatit të PDK-së për kryetar të Podujevës, në këtë qytet u mbajt sot takim elektoral nga drejtues të kësaj partie. Kryetari i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi, tha se pjesëmarrja e llapjanëve në këtë tubim është dëshmi se ata kanë vendosur të ecin përpara. E kandidati për kryetar të Podujevës, Isak Shabani, paraqiti pesë shtyllat e programit të tij.

Profesionist që është i gatshëm t’u shërbejë qytetarëve të Podujevës me nder. Kështu e cilësoi Memli Krasniqi, kryetari i PDK-se, kandidatin për kryetar komune nga kjo parti, Isak Shabanin, në tubim elektoral me qytetarë të Llapit. Krasniqi shprehu bindjen se PDK-ja po vjen me zemër të hapur për punë me përkushtim. Derisa u kërkoi të pranishmëve që kandidatit të PDK-së për kryetar të Podujevës  t’ia japin një mundësi për ta udhëhequr këtë komunë, Krasniqi shprehu besimin se Shabani e di më së miri se si bëhet kjo punë, fal edhe të kaluarës së tij për të cilën tha se ka dëshmuar në kohëra e mënyra të ndryshme.

Duke e quajtur prezencën e qytetarëve të Podujevës në këtë tubim elektoral si dëshmi e fortë se ata kanë vendosur të ecin përpara, Isak Shabani, kandidat për kryetar të komunës nga PDK-ja tha se kjo dëshmon se ata janë përcaktuar për një të ardhme të zhvilluar. Shabani tha se plani i tij për Podujevën është i qartë dhe përbëhet nga pesë shtylla, e që janë zhvillimi ekonomik, arsimi dhe inovacioni, shëndetësia dhe mirëqenia sociale.

Në këtë tubim elektoral të PDK-së në Podujevë, përveç kandidatit për kryetar, u bë thirrje që të votohen edhe kandidatët për Kuvend Komunal.


Go to TOP