Shehu: Mërgata është gjysma e zemrës së Junikut – vota juaj vendos fitoren më 12 tetor pa balotazh
Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka drejtuar një mesazh të veçantë për mërgatën junikase duke theksuar rolin vendimtar të saj në zgjedhjet e 12 tetorit.
Shehu ka bërë të ditur se, sipas informacioneve të mbledhura nga terreni, deri më tani kanë votuar rreth 700 nga gjithsej 1407 votues të regjistruar nga mërgata, shumica prej të cilëve për LDK-në. Ai ka bërë thirrje që të gjithë mërgimtarët që ende nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, për të siguruar fitoren e LDK-së që në raundin e parë.
“Mërgata është gjysma e zemrës së Junikut, prandaj vota juaj është e domosdoshme për të vendosur mbi fatin e Junikut në 4 vitet e ardhshme. Vetëm në këtë mënyrë ju mund të konfirmoni fitoren tonë më 12 tetor pa balotazh,” ka deklaruar Shehu.
Ai gjithashtu ka ftuar mërgimtarët që nuk janë regjistruar për votim me postë të vijnë personalisht në Junik ditën e zgjedhjeve për të dhënë votën e tyre duke theksuar rëndësinë e këtij kontributi për të ardhmen e komunës.
“Si gjithmonë, kontributi juaj për Junikun është thelbësor. Prandaj edhe këtë herë Juniku ka nevojë për juve, ndoshta më shumë se kurrë më parë,” ka përfunduar ai.
#LDK113
#RuzhdiShehu
#JunikuPërtej /Kosova.info/
