Rama mbështet projektin e audiolibrave për fëmijë: Le ta frymëzojmë së bashku dashurinë për leximin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e UNICEF-it dhe partnerëve lokalë që synon të nxisë dashurinë për leximin tek fëmijët përmes audiolibrave. Ai theksoi se, sipas UNICEF-it, vetëm një në tre fëmijë në Kosovë kanë libra në shtëpi, ndërsa disa minuta leximi në ditë mund të zgjerojnë fjalorin e një fëmije me qindra fjalë të reja.
“Bravo për UNICEF-in dhe për Kristalen, e cila punoi me shumë dashuri, së bashku me Qendrën për Zhvillim Njerëzor dhe The Library Project Kosova, për krijimin e kësaj serie të mrekullueshme të audiolibrave për fëmijët tanë”, ka thënë Rama.
Ai falënderoi gjithashtu artistët që janë bërë pjesë e projektit, si këngëtari Yll Limani, i cili lexon një tregim të autorit të njohur të letërsisë për fëmijë, Ymer Elshani – figurë e paharruar që humbi jetën tragjikisht gjatë luftës.
Rama theksoi se vepra e Elshanit jeton përmes iniciativave të tilla duke përcjellë histori e vlera të përjetshme tek brezat e rinj. “Ju ftoj të gjithëve ta shikoni këtë video dhe ta ndani me të tjerët, le ta frymëzojmë së bashku dashurinë për leximin në komunitetin tonë”, përfundoi ai. /Kosova.info/
