Lushaku: 90 ditë angazhim në Drejtorinë e Mobilitetit me projekte të prekshme për qytetarët
Drejtori i Drejtorisë së Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, ka bërë një përmbledhje të punës së 90 ditëve të para në këtë post duke theksuar se periudha ka qenë dinamike, e pandalshme dhe e mbushur me projekte konkrete për qytetarët.
Sipas tij, vetëm gjatë kësaj kohe janë shenjëzuar dhjetëra rrugë dhe janë vendosur qindra tabela vertikale të reja për rritjen e sigurisë. Po ashtu, është bërë lansimi i linjave sekondare të transportit publik, zgjatja e disa linjave ekzistuese, vendosja e rrethojave mbrojtëse në udhëkryqe, shkolla dhe parqe, si dhe mirëmbajtja e semaforëve.
Në listën e punëve të realizuara përfshihet edhe ndërtimi i pritoreve të reja për udhëtarë, lirimi i trotuareve të zëna, si dhe projekti “Park and Ride”.
“Përkushtimi për këtë qytet dhe njerëzit e saj është motivimi im i përditshëm”, ka deklaruar Lushaku duke falënderuar stafin e Drejtorisë së Mobilitetit dhe operatorët për bashkëpunimin e ngushtë. /Kosova.info/
