Sot zgjedhjet në Çeki, favoriti Babiš premtoi rritje pagash e pakësim të ndihmave për Ukrainën

Çekët pritet ta rrëzojnë Qeverinë e qendrës së djathtë gjatë zgjedhjeve që mbahen të premten e të shtunën. Sipas sondazheve, populisti miliarder, Andrej Babiš, pritet të rikthehet në pushtet me premtimet për rritje pagash e rritje ekonomike, ndërkohë duke ia zvogëluar ndihmat Ukrainës.

Ndryshimi i pushtetit në Çeki do ta forconte kampin populist kundër emigrantëve në Evropë dhe do të mund ta ndërlikonte konsensusin rreth politikave klimatike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Banorët e Çekisë janë ballafaquar me rritje të inflacionit pas pandemisë globale të koronavirusit dhe fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës dhe kanë gëzuar rimëkëmbje të ngadalshme nga njëra prej rënieve më të rënda të të ardhurave reale në Evropë.

Kjo po zë vend në mendjet e votuesve dhe po e dëmton popullaritetin e koalicionit të kryeministrit Petr Fiala dhe aleatët e tij liberalë, të cilët janë përqendruar në uljen e deficitit buxhetor.

Çekët janë të mësuar me ndryshim pushtetesh. Asnjë qeveri nuk e ka fituar mandatin e dytë në zgjedhje që nga viti 1996.

Miliarderi Babiš është aleat i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në grupin “Patriotët për Evropën” në Parlamentin Evropian dhe ka marrë qëndrim me mëdyshje sa u përket ndihmave për Ukrainën.

Grupi i tij pritet të fitojë më shumë se 30 për qind të votave, rreth 10 për qind më shumë se koalicioni Spolu i Fialas, por edhe me një aleat të vogël nuk pritet që ta sigurojë shumicën në dhomën e ulët të Kuvendit, e cila ka 200 ulëse.

Kjo situatë mund të nënkuptojë se grupit të Babiš-it mund t’i nevojitet mbështetja e partive që janë kundër BE-së dhe NATO-s, e partisë së të djathtës ekstreme SPD dhe e asaj të së majtës ekstreme Stacilo!.

Babiš-i është kundër çfarëdo hapi për ta larguar vendin nga Bashkimi Evropian ose NATO-ja, përfshirë thirrjet për referendum, duke iu kundërvënë akuzave nga pushteti aktual se ai do ta nxirrte Çekinë nga drejtimi demokratik pro-perëndimor.

Go to TOP