Gjatë ditës arrijnë nga Sllovenia në Kosovë fletëvotimet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se tashmë është përmbyllur shtypja e fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe se ato gjatë ditës do të arrijnë në Kosovë.

Shtypja e fletëvotimeve, siç kanë treguar nga KQZ-ja, është bërë në Slloveni, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së.

Gjithashtu, thonë se janë shtypur broshurat e kandidatëve të Zgjedhjeve Lokale 2025, të cilat do të shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

KQZ-ja kishte vendosur që për raundin e parë të zgjedhjeve lokale të shtypen gjithsej 3,600,820 fletëvotime.

“Ky numër përfshin fletëvotimet për të gjitha mënyrat e votimit: në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe rezervat. Në këtë proces zgjedhor, është paraparë që të prodhohen 13% më pak fletëvotime krahasuar me numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ arrin në 2,069,098 votues. Kjo nënkupton një reduktim prej 268,688 fletëvotimesh nga shifra totale”, thotë KQZ-ja.

Sipas të dhënave të Listës Votuese mbi 2 milionë qytetarë do të votojnë në vendvotimet brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa 43,993 votues janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime prej të cilave 910 Qendra të Votimit me 2,571 vendvotime të caktuara për votimin e rregullt, ndërkaq 38 Qendra të Votimit me gjithsej 54 vendvotime për votimin me kusht. /Kosova.info/


Go to TOP