Komandanti i FSK-së, Jashari, pret në takim lamtumirës Komandantin e KFOR-it, Barduani

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim lamtumirës Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani.

Në fillim të takimit, Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi Gjeneral Barduanin për shërbimin e tij si udhëheqës i KFOR-it duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe duke i shprehur mirënjohje për angazhimin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Gjatë bisedës, dy gjeneralët diskutuan për zhvillimet e fundit në FSK, përfshirë trajnimet, stërvitjet, sfidat dhe operacionet që ka ndërmarrë kjo forcë, si dhe për aktivitetet e ardhshme në funksion të ngritjes së kapaciteteve profesionale. Po ashtu, u shkëmbyen mendime lidhur me situatën aktuale të sigurisë, si në nivel vendor ashtu edhe rajonal.

Në përmbyllje të takimit, u riafirmua bashkëpunimi mes FSK-së dhe KFOR-it duke u theksuar nevoja për ta zgjeruar dhe intensifikuar atë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të kontribuohet më tej për sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në rajon. /Kosova.info/


Go to TOP