Carragher kritikon Liverpool pas humbjes ndaj Galatasaray

Ish-futbollisti i njohur i Liverpool, Jamie Carragher, e ka kritikuar ashpër skuadrën e Arne Slot pas performancës së dobët në Champions League, si dhe ka kërkuar ndryshime urgjente.

Liverpool ka pësuar një humbje 1-0 në ndeshjen e fundit të Champions League ndaj Galatasaray, duke regjistruar kështu humbjen e dytë radhazi, pasi më parë ishin mundur edhe nga Crystal Palace në Premier League.

Sipas Carragher, ekipi nuk është i balancuar dhe disa lojtarë nuk po japin nivelin e pritur.

“Unë nuk po shoh një ekip të nivelit të lartë”, ka thënë ai. “Liverpool nuk po luan futboll, po luan basketboll. Këtë ia kam thënë Slot që në ndeshjen e parë të sezonit kundër Bournemouth. Ata kanë një trajner fantastik, por ekipi ka humbur shumë në mbrojtje dhe nuk ka fituar asgjë në sulm. Balancimi i skuadrës nuk është i duhur, dhe shembulli më i qartë është Florian Wirtz, i cili nuk po tregon nivelin që pritej. Ai është një lojtar i ri, në një ligë të re, por tani duhet të dalë nga ekipi që Liverpool të rikthehet te ai nivel i sezonit të kaluar”.

Sipas Carragher edhe skuadra nuk po e ndihmon Wirtz.

 “Ai ka ardhur si një yll i njohur, futbollist i vitit në Bundesligë dy sezone rresht, por deri tani nuk ka performuar mirë te Liverpool. Por gjithashtu Liverpool nuk po e ndihmon mjaftueshëm. Ata duhet të gjejnë mënyrën për ta përfshirë më shumë në lojë dhe për ta ndihmuar të përshtatet me kërkesat e Premier League, që është më e shpejtë dhe më fizike se Bundesliga”, ka thënë ish-futbollisti anglez. 


Go to TOP