ZKA: Komuna e Malishevës joefikase në menaxhimin e projektit 8.28 milionë euro për sheshin, nënkalimet dhe parkingun nëntokësor

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës për projektin “Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës” duke mbuluar periudhën 2022 – mars 2025. Auditimi ka vlerësuar efikasitetin e Komunës së Malishevës në planifikimin dhe menaxhimin e këtij projekti kapital, si dhe ndikimin e tij në zhvillimin urban dhe jetën e qytetarëve.

Rezultatet tregojnë se Komuna nuk ka qenë efikase në planifikim dhe menaxhim të projektit, i cili u kontraktua në vlerë prej 8.28 milionë euro. Projekti filloi pa një planifikim të detajuar dhe me buxhet fillestar prej vetëm 2.03 milionë euro, ndërsa më pas u shoqërua me rritje të kostove. Përveç kontratës bazë, Komuna lidhi edhe një aneks-kontratë mbi 800 mijë euro, ndërsa kostot e pritshme deri në përfundim llogariten rreth 500 mijë euro. Po ashtu, janë ridestinuar rreth 520 mijë euro nga projekte të tjera për ta mundësuar vazhdimin e tij.

Në procedurat e prokurimit për kompaninë projektuese janë evidentuar mungesë transparence dhe trajtim jo të barabartë të operatorëve. Auditimi ka zbuluar gjithashtu mospërputhje mes çmimeve të vlerësuara dhe atyre të kontraktuara në 226 nga 802 pozicione, ose 28% të tyre, ku në dy raste çmimi i kontraktuar ishte deri në 1600% më i lartë se ai i parashikuar. Po ashtu, në 302 pozicione (37%) janë vërejtur dallime të mëdha mes sasive të planifikuara, të kontraktuara dhe të realizuara.

Raporti thekson mungesën e mbikëqyrjes profesionale dhe të një organi të pavarur gjatë realizimit të kontratës, çka ka ndikuar në paqartësi rreth cilësisë dhe sasisë së materialeve të pranuara. Sipas ZKA-së, mungesa e masave adekuate nga Komuna për mbikëqyrje ka rrezikuar sigurinë dhe cilësinë e projektit.

Gjithashtu, projekti nuk ishte i bazuar në një Plan Zhvillimor Urban, nuk pati konsultime me qytetarët dhe palët e interesit, ndërsa lejet për ndërtim u siguruan vetëm pas nisjes së punimeve. Gjatë zbatimit, ai ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve përreth.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se mangësitë në planifikim, buxhetim dhe mbikëqyrje kanë ndikuar negativisht në efikasitetin, cilësinë dhe sigurinë e projektit.

ZKA ka dhënë nëntë rekomandime për Komunën e Malishevës, me qëllim përmirësimin e planifikimit dhe menaxhimit të projekteve kapitale në të ardhmen.

Raportin e plotë të auditimit mund ta gjeni [këtu]. /Kosova.info/


Go to TOP