Presion, shantazh dhe largime të papritura – Lista Serbe përjeton humbje të mëdha të mbështetjes në Kllokot

“Largim nga puna”, “presion mbi votuesit”, “shantazh e trysni”, janë vetëm disa nga ankesat që banorët serb të Kllokotit kanë ndaj Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Sipas disa banorëve, me të cilët ka biseduar këtë javë Plus Televizion, Lista Serbe ka humbje të madhe të besimit, mbështetjes dhe autoritetit në mesin e banorëve të komunitetit serb.

Dalja hapur kundër Listës Serbe dhe aktiviteti i tyre nëpër parti e iniciativa tjera politike për zgjedhjet lokale të 12 Tetorit, disave u ka kushtuar me presion dhe largim nga puna. Ata që flasin për shqetësimet e tyre, e bëjnë këtë në kushte anonimiteti, për shkak të frikës për hakmarrje.

Një 58 vjeçar, banor në Kllokot, thotë se nuk i besojnë më Listës Serbe pasi që ajo nuk mbronë interesat e e tyre dhe e akuzon atë për keqqeverisje dhe nepotizëm.

“Gjendja e serbëve në Kllokot nuk është aspak e mirë. Lista Serbe punon për interesa të veta dhe për njerëzit e vet, jetojmë të lënë pas dore. Edhe unë jam një prej atyre që jam larguar nga puna në komunën e Kllokotit, sepse nuk e kam përkrahur më Listën Serbe”, thotë ai.

Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe një i ri, rreth 30 vjeç.

“Nuk besojmë më [në Listën Serbe], unë jam përjashtuar nga dy vende të punës që i kam pasur vetëm sepse nuk e përkrahi më. Ka një kohë që kur jam pa punë dhe më janë ndërprerë të ardhurat. Gjatë këtij mandati që shkoi, kurrgjë e mirë s’ka ndodh, asnjë ndryshim nuk kemi pasur, s’kemi të ardhura, kemi humbur besimin në atë parti sepse nuk janë njerëz të duhur”, thotë ia.

I pakënaqur shprehët edhe një tjetër banor i komunitetit serb.

“Kemi vazhdimisht presion nga njerëz të Listës Serbe, djalin tim e kanë larguar nga puna në arsim vetëm sepse kemi dal kundër kësaj partie. Kemi jetë të vështirë, dhe nuk besojmë më që kjo parti do të bëjë diçka mirë për ne. Ata sillet mirë derisa të kryen zgjedhjet dhe më pas nuk e njohin askënd”, u shpreh ky bashkëbisedues.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, Lista Serbe, kandidon me një listë për asamble dhe ka si kandidat për kryetar të komunës Bozhidar Dejanoviqin, i cili kishte udhëhequr Kllokotin edhe në vitet 2017-2021. Dejanoviq, ishte dënuar për veprën penale të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve, në zgjedhjet qendrore, në shkurt të vitit 2021.

Përveç kësaj, në garë për t’u rikthyer në krye të komunës me shumicë serbe, është edhe Sreqko Spasiq, i cili garon përmes iniciativës qytetare “Uniteti Popullor Serb”.

Bashkëbiseduesit e Plus Tv thonë se shpresat i kanë tek kjo e fundit prej të cilës presin ta mposhtë ndikimin dhe mbizotërimin e Listës Serbe dhe për t’i ofruar Kllokotit një ndryshim të qeverisjes.

“Kandidati i Dejanoviq, është një mashtrues dhe nuk besojmë më në partinë ku është ai. Tash në këtë kohë të fushatës kemi presion e shantazh, ku ka presion më të madh se me të largu prej punës. Na kanë thënë, kush nuk e voton Listën Serbe shkon në shtëpi, s’ke as punë e as të ardhura. Kemi besim se kësaj here do të fitojë Streqko Spasiq dhe lista e tij”, shprehet ai.

Njëjtë shprehet edhe një tjetër bashkëbisedues.

“Përkrahja për Dejanoviqin është shumë e ulët. Sepse tashti kemi besim te Sreqko Spasiq i cili po gëzon mbështetje të madhe brenda komunitetit tonë dhe po ashtu te shqiptarët. Pas zgjedhjeve të 12 Tetorit të gjithë presim ndryshim dhe jetë më të mirë”- tha ai.

Nga ana tjetër, Spasiq, që garon kundër Listës Serbe, gjatë fushatës së tij ka akuzuar këtë parti, për gjendjen e vështirë të komunitetit serb në komunën Kllokot-Vërbovc, dhe thotë se dëshiron t’i ndryshojë gjërat ndërkohë që zotohet se programi i tij do të rrisë bashkëjetesën dhe do të përmirësojë jetën e banorëve, pa asnjë dallim.

Kthimi i Sreqko Spasiqit në krye të komunës së Kllokotit, po shihet si një alternativë serioze dhe e pranueshme duke sfiduar dhe rrezikuar ndjeshëm garën e Listës Serbe dhe që mund të sjell humbjen përfundimtare të saj në këtë komunë të Anamoravës. 

Ndryshe, në zgjedhjet e vitit 2021 Lista Serbe krahas komunave tjera kishte fituar edhe në Kllokot ku kryetar ishte zgjedhur Vladan Bogdanovic. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në Kllokot jetojnë diku 3.041 banorë.

Go to TOP