Bajrami: Vetëvendosja hipokrite, ikën nga debatet pesë vjet rresht
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kërkesave të deputetëve të Vetëvendosjes për organizimin e debateve mes kandidatëve për kryetarë komunash. Ajo i ka quajtur hipokritë dhe mashtrues duke theksuar se ata vetë kanë shmangur ballafaqimet publike për pesë vjet me radhë.
“Deputetët e Vetëvendosjes që mbajnë kundërligjshëm pozitat e ministrave po kërkojnë debate të kandidatëve për kryetarë të komunave, ndërkohë të njëjtit struken, ikun dhe nuk ballafaqohen që pesë vjet në debate publike,” ka deklaruar Bajrami.
Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të VV-së, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin Hekuran Murati, që të dalin në debate për çështje madhore si “mafia energjetike, inflacioni dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike”.
Sipas saj, VV bën thirrje për debate vetëm për propagandë, por vetë nuk është ballafaquar asnjëherë në këto vite. “Ju kam ftuar dhjetëra herë dhe keni ikur. Nuk kam asnjë dyshim se siç keni ikur nga debatet, do të largoheni edhe nga keqqeverisja, krimi e korrupsioni në tri komunat që i keqqeverisni. Njëjtë e keni fundin edhe në krye të Qeverisë,” ka shtuar ajo.
Bajrami ka përfunduar duke thënë se “epoka e mashtrimeve pesëvjeçare të Vetëvendosjes po merr fund.” /Kosova.info/
