Abdixhiku nga Peja: Synojmë fitore që në raund të parë, Gazmend Muhaxheri është “kryetar kampion”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se synimi i partisë së tij është që të arrijë fitore në zgjedhjet lokale në Pejë që në raundin e parë.
Në tubimin e mbajtur në sallën e Karagaçit, Abdixhiku e quajti Pejën bastion të LDK-së dhe kryetarin aktual, Gazmend Muhaxherin, “kryetar kampion”. Ai vlerësoi punën e tij në tri mandatet e kaluara duke e cilësuar si model të qeverisjes lokale dhe simbol të përkushtimit e rezultateve konkrete.
“Nuk ka sallë tjetër në Kosovë që jep dridhje si kjo sallë. Këtu, gjithherë forca e qytetarëve është kthyer në fitore. Prandaj edhe sot, nga Karagaçi e nga Peja, kushtrojmë fort: Fitore dhe asgjë më pak se kaq. Fitore për Gazin që në raund të parë!”, u shpreh Abdixhiku.
Ai tha se Peja ka qenë gjithmonë me LDK-në, me Rugovën, me demokracinë dhe me shtetin duke theksuar se kjo do të mbetet edhe sot e në të ardhmen.
Abdixhiku shtoi se LDK-ja po garon me një ekip profesionistësh që ofrojnë qeverisje të ndershme dhe me vizion të qartë. /Kosova.info/
