Ushtria izraelite urdhërohet që ta transmetojë “live” në Gaza fjalimin e Netanyahut në OKB

Zyra e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se e ka udhëzuar ushtrinë izraelite që të instalojë zmadhues zëri në mbarë Rripin e Gazës për ta transmetuar drejtpërdrejt fjalimin e kryeministrit para banorëve të enklavës.

Sipas televizionit izraelit “Channel 12”, ushtria ka shprehur kundërshtim ndaj këtij urdhri, pasi për zbatimin e tij kërkohet që ushtarët të dalin nga pikat e tyre dhe të hyjnë në zona që i vënë në rrezik të shtuar për t’u shënjestruar nga pjesëtarët e Hamasit, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

“Është një ide e çmendur” – citohet nga gazeta “Haaretz” të ketë thënë një oficer i lartë izraelit. “Njerëz nga mbarë spektri politik po pyesin: Çka është ky deluzion? Askush nuk kupton se çfarë do të përfitojë ushtria këtu” – shtoi ai.

Gazta “Haaretz” gjithashtu citoi një burim ushtarak të ketë thënë se ky urdhër është akt i luftës psikologjike.

Sipas kësaj gazete, pavarësisht nga kundërshtimet, ushtria nuk do të dalë kundër kërkesës së Zyrës së Kryeministrit dhe është duke u përgatitur që ta transmetojë fjalimin e Netanyahut në mbarë Gazën.

Fjalimi i kryeministrit izraelit në Kombet e Bashkuara pritet të fillojë në orën 15:00 sipas zonës kohore të Kosovës dhe pritet të jetë i përqendruar kryesisht në njohjen e një shteti të pavarur palestinez nga disa shtete perëndimore ditëve të fundit.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit refuzuan që t’i komentonin raportimet për transmetimin e fjalimit të Netanyahut në Gaza dhe pyetjet i drejtuan te Zyra e Kryeministrit, e cila ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Korrespondenti për ushtrinë i televizionit publik izraelit publikoi në rrjetin X një fotografi ku zmadhuesit e zërit shiheshin të ngarkuar në një automjet ushtarak. “Ushtarë të Divizionit 99 po përgatiten për ta lëshuar fjalimin e Netanyahut, përmes zmadhuesve, te banorët e Gazës” – shkroi ai.


Go to TOP