Kurti: Petrovci ndriçonte çdo bisedë, Kosova humbi një thesar kombëtar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur dhimbje të thellë për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut të shquar, Enver Petrovci.

Në një postim në Facebook, Kurti e përshkroi Petrovcin si një personalitet me kujtesë energjike dhe mendim të qartë, i cili përçonte frymëzim dhe liri shprehjeje në çdo takim, duke ndriçuar bisedat me humor dhe vështrime lucide.

“Petrovci ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit në Kosovë, si dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, i dashur për shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai kontribuoi në ngritjen e teatrit dhe filmit kosovar në arenën vendore, rajonale dhe evropiane”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se Kosova humbi një thesar kombëtar.

“Kosova humbi sot një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që do të ruhet dhe përcillet brez pas brezi,” tha Kurti, duke shprehur ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve. /Kosova.info/


Go to TOP