Abdixhiku dhe Rama nga dega e tretë: Kryeqyteti frymon kaltër, Prishtina mbetet me LDK-në

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantuan projektet e realizuara dhe kandidatët për asamblenë komunale duke theksuar sfidat e qeverisjes në kryeqytet dhe synimet për mandatin e ardhshëm.

Abdixhiku: Nuk kishim ndihmë nga qeveria, përkundrazi, patëm vetëm bllokada

Në tubimin elektoral me banorët e degës së tretë në Prishtinë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu mbështetjen e tij për Përparim Ramën dhe vlerësoi qeverisjen e tij në katër vitet e fundit.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe, qeverisja lokale nuk mori ndihmë nga qeveria qendrore e as nga opozita në kuvendin komunal, por përballoi bllokada e sabotime.

“Sonte nga ky tubim e kemi shumë të qartë, kryeqyteti frymon kaltër. Sepse çdo betejë politike nis këtu, çdo fitore e madhe nis këtu dhe çdo shpresë për të ardhmen e vendit tonë nis këtu… Nuk kishim ndihmë nga qeveria qendrore, përkundrazi, patëm vetëm bllokada, nuk patëm bashkëpunim as nga opozita lokale, përkundrazi, patëm sabotim. Por asnjë nga këto nuk mundi ta ndalë ndryshimin e nisur nga ne”, tha Abdixhiku.

Rama: Disa kandidatë po thonë që trafikun e zgjidh hapja e sheshit “George Bush”, aq dinë, aq thonë

Në fjalën e tij, kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë, Përparim Rama, prezantoi projektet e realizuara në lagjet Bregu i Diellit, Velani, Muharrem Fejza, Rruga C dhe B, si dhe Mati 1.

Ai përmendi asfaltimin e rrugës “Enver Maloku”, rregullimin e ambulancës në Breg të Diellit, shërbimet ditore për qytetarët me nevoja, largimin e objekteve të vjetra për t’i shndërruar në parqe, si dhe investimet në transportin urban.

Rama theksoi se sfida më e madhe e kryeqytetit mbetet trafiku. “Disa kandidatë po thonë që ne do ta zgjedhim trafikun duke hapur sheshin ‘George Bush’. Aq dinë, aq thonë, nuk e rregullon trafikun. Trafikun e rregullon unaza e kryeqytetit, të cilën kjo qeveri e ka bllokuar, dhe dhjetë shkollat të cilat jemi duke i ndërtuar në periferitë e Prishtinës”, tha ai.

Premtimet për mandatin e ardhshëm

Rama premtoi se në mandatin e dytë do të fokusohet në funksionalizimin e mësimit tërëditor në të gjitha shkollat e kryeqytetit, realizimin e unazës së jashtme të Prishtinës, blerjen e 120 autobusëve të rinj, rregullimin e rrugës “Agim Ramadani” dhe zhvillimin e një sërë projektesh infrastrukturore e sociale për kryeqytetin.


Go to TOP