Konjufca: Qemajl Aliu është faqja e bardhë e Shtimes
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një tubim elektoral në Shtime, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Krahas kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili po kërkon mandatin e dytë, i pranishëm ishte edhe nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca.
Në fjalën e tij, kryetari Aliu tha se para vitit 2021 Komuna e Shtimes ishte e rënduar nga keqqeverisja, me borxhe e konteste të shumta duke mbetur prapa në zhvillim. Ai theksoi se ndryshimi i vitit 2021 solli rezultate të prekshme dhe transparencë të plotë.
“Besimi që na u dha atëherë u kthye në punë e rezultate konkrete. Gjatë mandatit realizuam mbi 50 milionë euro investime duke filluar nga shkollat, sallat sportive, çerdhet, parqet, rrugët, kanalizimet, ndriçimi publik e deri te shërbimet e reja në shëndetësi. Kjo falë angazhimit tonë dhe mbështetjes së Qeverisë Kurti”, tha Aliu.
Ai renditi disa nga projektet kryesore: renovimi i 15 shkollave, ndërtimi i shkollës “Bajram Curri”, mbështetja e 120 studentëve me bursa, funksionalizimi i laboratorit 24-orësh në QKMF, sigurimi i mamografit të ri, sjellja e specialistëve në shëndetësi, ndërtimi i 5 shtëpive për familjet e pastrehë, asfaltimi i mbi 80 km rrugë dhe ndërtimi i 10 parqeve të reja. Po ashtu, ai përmendi ndërtimin e bibliotekës dhe arkivit të qytetit, themelimin e ndërmarrjes publike “Ekosistemi”, si dhe përkrahjen e bujqve me mbi 500 mijë euro.
Duke kërkuar mandatin e dytë, Aliu prezantoi edhe gjashtë premtimet kryesore për katër vitet e ardhshme: ndërtimin e shkollës së Vojnovcit, ushqim të shëndetshëm në çerdhe, pilotimin e mësimit gjithëditor, pakon “Matura”, smart-board në të gjitha klasat, ndërtimin e qëndrimit ditor për të moshuarit, babybox për të gjitha bebet, barna falas për pensionistët, si dhe zhvillimin e agroturizmit dhe transportit urban në komunë.
“Sot Shtimja është transformuar rrënjësisht dhe ka pamje krejt tjetër nga e kaluara. Kemi dëshmuar se jo vetëm i realizojmë premtimet, por i tejkalojmë”, theksoi Aliu.
Nga ana tjetër, nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, lavdëroi kryetarin Aliu për punën e tij duke e quajtur “faqja e bardhë e Shtimes”.
“E pamë ndryshimin e madh që ka ndodhur në këto katër vite. Ky ndryshim ka ardhur sepse Shtimja është qeverisur me integritet dhe përkushtim. Qytetarët e kanë parë se si qeveriset me moral, me kurrizin drejt dhe me ballin e hapur. Ju këtu në Shtime keni krijuar modelin më të mirë të qeverisjes së Vetëvendosjes”, tha Konjufca.
Ai shtoi se zgjedhjet e 12 tetorit kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për komunat, por edhe për nivelin nacional duke i quajtur ndër më të rëndësishmet për Republikën e Kosovës. /Kosova.info/
