Barduani në takim lamtumirës me Ramën
Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka zhvilluar sot një vizitë lamtumirës te kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku gjeneralmajor Barduani përcolli mirënjohjen e tij të thellë për mikpritjen që qyteti i Prishtinës dhe institucionet e tij i kanë bërë trupave të KFOR-it që nga fillimi i misionit në vitin 1999.
Nga ana tjetër, kryetari Rama vlerësoi lart rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon duke theksuar kontributin e vazhdueshëm të këtij misioni për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
KFOR-i, i cili vepron në bazë të mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, mbetet i përkushtuar të garantojë siguri dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky mision vazhdon të punojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) duke respektuar rolet e tyre si reagues të sigurisë. /Kosova.info/
