PDK premton zhvillim dhe mirëqenie më të mirë për Prizrenin

Partia Demokratike e Kosovës mbajti tubim elektoral në Prizren. Memli Krasniqi, kryetar i kësaj partie, tha para votuesve të atjeshëm se është e lehtë kërkimi i votës së tyre për Shaqir Totajn, kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit. Sipas Krasniqit, në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për besim, por edhe për një vlerësim të punës së deritanishme. Kurse Totaj tha se Prizreni ka shumë përparësi, prandaj u zotua për angazhim të vazhdueshëm dhe në shërbim të të gjithëve.

Partia Demokratike e Kosovës fushatën elektorale sot e vazhdoi me një tubim në Prizren. I pranishëm ishte edhe kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi. Duke vlerësuar punën e kandidatit për kryetar, Shaqir Totaj, i cili kërkon një mandat të dytë në krye të Prizrenit, Krasniqi tha se gjatë mandatit të tij, pavarësisht sfidave, kjo komunë është shndërruar në shembull të mbajtjes së premtimeve.

“Sonte jemi këtu sepse është shumë më e lehtë të jemi para qytetarëve të Prizrenit, për faktin se më shumë se sa për besim, jemi këtu për të bërë një bilanc të punës së jashtëzakonshme të Shaqir Totajt, në mbajtjen e premtimeve të dhëna, pavarësisht sfidave”, deklaroi kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Prizrenit nga PDK-ja, Shaqir Totaj, theksoi rëndësinë e diversitetit multietnik të qytetit, duke e konsideruar atë si përparësi dhe jo si dobësi. Ai u zotua për një angazhim të vazhdueshëm në shërbim të Prizrenit dhe Kosovës.

“Përmes organizimit politik të brendshëm të PDK-së, ne japim kontributin tonë për Prizrenin dhe për Kosovën. Prizreni është qytet multietnik, me diversitet të madh, dhe në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të shihet si dobësi, por si një përparësi për ne”, potencoi Totaj.

Në këtë tubim elektoral u prezantuan edhe disa nga kandidatët për Kuvendin Komunal nga PDK-ja në Prizren, të cilët kërkuan mbështetjen e qytetarëve. Ata premtuan angazhim për mirëqenie më të mirë dhe më shumë punë për zhvillimin e qytetit.

Go to TOP