Aktakuzë ndaj 32 personave për dëmtim të institucioneve financiare në vlerë prej 300 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj 32 personave, pas përfundimit të hetimeve për një rast të rëndë të krimeve financiare, shkruan Kosova.info.
Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë:
- “Hyrja në sisteme kompjuterike”, sipas nenit 327 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK),
- “Falsifikimi i dokumenteve”, sipas nenit 390 të KPRK-së,
- si dhe veprat “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorimi i kartelave bankare apo të kreditit”, të parashikuara nga neni 301 i KPRK-së.
Nga hetimet është vërtetuar se këto veprime kriminale kanë dëmtuar katër institucione financiare dhe bankare, duke shkaktuar një dëm të përgjithshëm prej 300 mijë eurosh. Prokuroria bën të ditur se, falë hetimeve, është arritur që të ndalet shkaktimi i mëtejmë i dëmit financiar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave të natyrës financiare dhe në mbrojtjen e interesit publik./Kosova.info/
