Këngëtari Neki Emra, bilbil i dëshmuar i muzikës së mirëfilltë popullore shqiptare

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Neki Emra është një nga zërat më të dashur dhe më të fuqishëm të muzikës sonë popullore shqiptare. I lindur në kryeqytetin shqiptar të kulturës së Prizrenit, pra, nga një familje me tradita të pasura muzikore, kulturore dhe kombëtare, ai u lidh me muzikën qysh në fëmijërinë e tij, duke i rënë pianos… Kjo qasje e hershme me tingujt muzikor paraprakisht edhe i dha një shtytje apo i dha bazën teknike muzikore dhe ndjeshmërinë shpirtërore që më vonë do ta përcaktonin stilin e tij artistik muzikor e kulturor.

Rruga e tij drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Fillimisht si tastierist me grupe të njohura, e më pas si këngëtar solo, ai e ndërtoi me përkushtim e sakrificë karrierën e tij muzikore, duke e bërë zërin e vet të bilbilit një simbol të dashurisë, shpresës dhe mallëngjimit. Çdo këngë e tij bart një ndjenjë të veçantë, duke i shndërruar këngët e tija  jo thjesht në melodi, por në rrëfime, përjetime shpirtërore, kulturore e kombëtare që prekin thellë zemrat e dëgjuesve dhe admiruesve të tij.

Këngët e interpretuara popullore e qytetare të vjetra prej tij janë tashmë pjesë e memories kolektive shqiptare. Ato këndohen në çdo tryezë familjare, në festivale dhe në ngjarje të ndryshme kulturore. Zëri i tij i veçantë, i krahasuar me bilbilin, përcjell jo vetëm art, por edhe krenari kulturore e kombëtare, duke ruajtur dhe ringjallur trashëgiminë tonë muzikore të popullit tonë.

Interpretimet e Neki Emrës, të mbushura me pasion dhe origjinalitet, janë një thirrje e vazhdueshme për dashuri e unitet shpirtëror e kombëtar. Ai është dëshmia se muzika popullore shqiptare nuk është vetëm një relikt i së kaluarës, por një pasuri që jeton, përtërihet dhe përcillet me dinjitet tek brezat e rinj “…deri në të sosur të botës”. 

Në kulmin e karrierës së tij monumentale, këngëtari Neki Emra vazhdon të mbetet një bilbil i vërtetë i muzikës sonë, një artist lapidar që i përket jo vetëm skenës, por edhe shpirtit të popullit shqiptar. Dhe këtë magji mrekullie të zërit, Neki Emra e solli së fundmi edhe në mbrëmjen festive të 13 shtatorit 2025, në hapësirën e jashtme të improvizuar në Restorant “Amazona” në Prishtinë, pra, në dasmën e paharrueshme të birit tim, Artanit, me Gonitën – një kujtim i veçantë për çiftin martesor, për dy familjet Mrijaj e Limoni dhe për shumë dasmorët tjerë që morën pjesë në këtë dasmë madhështore.

Mirënjohje për vlerat tuaja doajen i muzikës popullore shqiptare, Neki Emra. Respekt!


Go to TOP