Katari mban samit pas sulmit izraelit në Doha
Katari organizoi të hënën një samit të vendeve arabe dhe islame, me shpresën për të dhënë një përgjigje të përbashkët ndaj sulmit të Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit javën e kaluar në Doha. Por, ndërsa liderët shfaqën mendime të ndryshme për hapat që duhet të ndërmerren, vendet pjesëmarrëse në këtë samit kanë pak mundësi për të frenuar Izraelin në luftën e tij në Gaza.
Izraeli, i cili nisi pushtimin e Gazës si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ka goditur grupin militant dhe anëtarë të tjerë të ashtuquajturës “Boshti i Rezistencës” të Iranit edhe në vende të tjera, përfshirë Iranin, Libanin, Sirinë, Jemenin dhe tani Katarin. Kjo ka nxitur zemërim të gjerë midis vendeve të Lindjes së Mesme, tashmë të revoltuara nga mbi 64 mijë palestinezë të vrarë gjatë luftës në Gaza, derisa po rriten shqetësimet se angazhimi i SHBA-së për të mbrojtur shtetet arabe të Gjirit mund të mos jetë aq i fortë, raporton AP.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë mund të arrijë samiti. Tensionet e mëdha mes vendeve pjesëmarrëse mund të zbehin bashkëpunimin, ndërsa ata kanë pak mjete presioni. Dënimet nga vende që Izraeli i konsideron armiq, si Irani, kanë pak peshë. Ndërkohë, vendet pjesëmarrëse që kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin mund të hezitojnë t’i ndërpresin ato.
“Duke marrë parasysh tensionet e thella mes shteteve të Gjirit dhe aktorëve të tjerë rajonalë, mbledhja e samitit për më pak se një javë, sidomos duke pasur parasysh përmasat e tij, është një arritje e dukshme,” tha Qendra Soufan me seli në Nju Jork. “Pyetja kryesore” është nëse samiti do të “sinjalizojë një zhvendosje drejt masave më të rëndësishme kundër Izraelit, duke përfshirë uljen e nivelit diplomatik, masa të synuara ekonomike dhe kufizime të hapësirës ajrore dhe qasjes.”
