Rama: Çdo hap, një mesazh solidariteti në luftën kundër kancerit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori pjesë sot në aktivitetin sensibilizues “Race for the Cure Prishtina 2025”, i cili mblodhi qytetarë për të ecur dhe vrapuar së bashku në mbështetje të luftës kundër kancerit të gjirit.
Rama tha se ky nuk ishte vetëm një aktivitet sportiv, por një ngjarje me mesazh të thellë solidariteti dhe humaniteti.
“Përtej sfidave… sot, u mblodhëm për të ecur dhe vrapuar së bashku, jo vetëm për garën, por për jetën. Çdo hap ishte një shenjë solidariteti, një mesazh për ata që po luftojnë me kancerin, një kujtim për ata që humbën betejën dhe një premtim për një të ardhme më të shëndetshme,” u shpreh ai.
Ngjarja e organizuar në kryeqytet ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke bashkuar qytetarë, institucione dhe organizata në një qëllim të përbashkët: jetën dhe shëndetin. /Kosova.info/
