Mbyllet edicioni i gjashtë i Festivalit të Teatrove në Suharekë
Në natën e pestë dhe njëkohësisht përmbyllëse të Festivalit të Teatrove në Suharekë, u shfaq drama “Një dorëzim”, me regji të Afeida Boriçit, e realizuar nga Teatri i Qytetit të Preshevës.
Salla ishte e mbushur plot me publik, i cili e priti shfaqjen me shumë të qeshura dhe duartrokitje, duke dëshmuar edhe një herë interesimin dhe dashurinë për artin skenik.
Në kuadër të mbrëmjes përmbyllëse, organizatorët ndanë edhe katër mirënjohje të veçanta për personalitetet e kulturës Muradije Muriqi, Elida Shasivari, Myrvete Kurtishi dhe Ismet Suka, për kontributin e tyre të çmuar dhe të vazhdueshëm në art e kulturë.
Edicioni i gjashtë i Festivalit të Teatrove në Suharekë u karakterizua nga pjesëmarrja e trupave teatrore vendore e rajonale, duke sjellë para publikut suharekas shfaqje me tematika të ndryshme dhe me një nivel artistik të lartë.
