Bajraktari: SHBA ka të drejtë në parim, por pezullimi i Dialogut Strategjik dëmton Kosovën dhe favorizon Serbinë pro-Kinë e pro-Iran

Veprimtari i çështjes kombëtare Harry Bajraktari ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën duke e cilësuar këtë si një lajm të keq për vendin më pro-amerikan në botë.

Në një opinion të tij, Bajraktari thekson se populli i Kosovës nuk e meriton një qasje të tillë, pasi përkushtimi i tij për paqe, stabilitet dhe demokraci është i padiskutueshëm. Ai vlerëson se humbja e muajve të tërë në “rituale politike të pakuptimta” nga partitë kosovare ka ndikuar negativisht, por megjithatë përgjegjësia duhet të ndahet në mënyrë të barabartë mes të gjitha forcave politike.

Duke paralajmëruar se Kosova mund të shtyhet drejt një situate të ngjashme me atë të Bosnjës, Bajraktari nënvizon se Lista Serbe nuk përfaqëson realisht interesat e komunitetit serb në Kosovë, por funksionon si instrument i Beogradit për të bllokuar institucionet. “Lejimi i Listës Serbe që të paralizojë institucionet e Kosovës nuk do të përmirësojë jetën e serbëve, por vetëm do t’i japë Presidentit Vuçiq hapësirë për të ndërhyrë dhe destabilizuar,” thekson ai.

Bajraktari kujton se Kosova, përkundër problemeve të brendshme, ka treguar gjithmonë përkushtim ndaj aleancës me SHBA, madje edhe kur kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe partitë politike mbështetën sulmin e ish-presidentit Donald Trump ndaj Iranit. “E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Serbinë, e cila e kritikoi vendimin e Trump dhe vazhdon të forcojë miqësinë me regjimin iranian,” shkruan ai.

Ai sjell në kujtesë vizitën e fundit të Vuçiqit në Kinë, ku ishte në krah të Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, si dhe stërvitjet ushtarake të përbashkëta të Serbisë me Kinën, që tregojnë thellimin e kësaj aleance anti-perëndimore.

“Pesë vite më parë Vuçiq nënshkroi marrëveshje me presidentin Trump në Zyrën Ovale dhe ka shkelur pothuajse çdo zotim, pa marrë asnjëherë qortim nga ambasada amerikane në Beograd,” thekson Bajraktari.

Në këtë kuptim, sipas tij, pezullimi i Dialogut Strategjik me Kosovën, ndërkohë që pritet hapja e një të tilli me Serbinë deri në fund të vitit, është një qasje e paekuilibruar dhe jo në interesin strategjik të Amerikës në rajon.

Duke përshëndetur reagimin e presidentes Vjosa Osmani, Bajraktari shpreh shpresën se SHBA dhe Kosova, me këtë apo një qeveri të ardhshme, do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të rifilluar Dialogun Strategjik për hir të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe Evropë. /Kosova.info/

Go to TOP