DHEGK-G7: Dobësimi i partneriteteve vonon projektet zhvillimore

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj mbi deklaratën e fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke vlerësuar se çdo dobësim i marrëdhënieve me partnerët strategjikë do të kishte pasoja të rëndësishme, duke vonuar zbatimin e projekteve zhvillimore dhe duke reduktuar mundësitë për mbështetje financiare dhe teknike.

Në një komunikatë për medie Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 thekson se zhvillimi ekonomik i Kosovës është i pandarë nga sundimi i ligjit, funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve dhe respektimi i plotë i normave kushtetuese.

“Në mungesë të një mjedisi të tillë, investimet e huaja dhe vendore pësojnë rënie, ndërmarrjet përballen me barriera të shumta dhe besimi i tregjeve në Kosovë dëmtohet ndjeshëm. Një klimë e pasigurisë politike jo vetëm që ngadalëson proceset reformuese, por gjithashtu ul nivelin e konkurrueshmërisë së vendit në rajon dhe komprometon perspektivat për zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë kuadër, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë bazën e ekonomisë, janë më të ekspozuarat ndaj pasojave të paqëndrueshmërisë. Sidomos ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë përballen me sfida të theksuara në sigurimin e qasjes në financa, planifikimin afatgjatë të investimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre”, thuhet në komunikatë.

Këto kufizime, sipas këtij asociacioni, përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për rritjen ekonomike dhe pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit zhvillimor të vendit.

“Kosova ka përfituar ndjeshëm nga mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në fushën e reformave, zhvillimit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar. Çdo dobësim i marrëdhënieve me këta partnerë strategjikë do të kishte pasoja të rëndësishme, duke vonuar zbatimin e projekteve zhvillimore dhe duke reduktuar mundësitë për mbështetje financiare dhe teknike. Për më tepër, pasiguria politike prodhon pasoja të dukshme sociale, duke dekurajuar të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë, duke nxitur migrimin dhe duke varfëruar potencialin njerëzor, gjë që prek drejtpërdrejt vizionin afatgjatë për zhvillim ekonomik dhe social”, nënvizon DHEGK-G7.

Sipas saj, stabiliteti është një domosdoshmëri ekonomike. Pa institucione funksionale dhe mjedis të parashikueshëm nuk ka investime, nuk ka rritje dhe nuk ka mirëqenie për qytetarët e Kosovës.

“Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 u bën thirrje përfaqësuesve politikë që të demonstrojnë përgjegjësi të lartë, të garantojnë funksionalitet të plotë institucional dhe të respektojnë normat kushtetuese. Njëkohësisht, G7 apelon për vazhdimin e angazhimit aktiv dhe konstruktiv të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në mbështetje të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës. /Kosova.info/

Go to TOP