FBI-ja publikon foton e të dyshuarit për vrasjen e Charlie Kirk
FBI-ja ka publikuar sot pamjet e një personi i cili dyshohet si autori në lidhje me vrasjen e Charlie Kirk, e ndodhur dje.
Autoritetet po kërkojnë ndihmën e publikut për të identifikuar individin, pamjet e të cilit janë të parat që organet e zbatimit të ligjit kanë bërë publike, duke besuar se mund të jetë i përfshirë në vdekjen e Kirk-ut.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur më herët sot, zyrtarët e FBI-së ndanë disa detaje të rëndësishme lidhur me hetimin.
Ata u shprehën se janë “të bindur në aftësitë” e tyre për të gjurmuar autorin e krimit dhe konfirmuan se disponojnë “pamje të qarta video” të të dyshuarit.
Përveç kësaj, autoritetet kanë gjetur një pushkë me fuqi të lartë, si dhe prova të tjera fizike, përfshirë “një gjurmë këpucësh, një gjurmë pëllëmbe dhe gjurmë të parakrahëve”, të cilat po analizohen aktualisht në laborator.
Gjithashtu, zyrtarët bënë të ditur se kanë gjurmuar lëvizjet e të dyshuarit menjëherë para dhe pas ngjarjes.
Më herët, hetuesit kishin deklaruar se po punonin me disa teknologji dhe metoda për të identifikuar individin.
Në rast se këto përpjekje nuk japin rezultat, ata planifikonin të ndanin pamjet me publikun përmes mediave për të ndihmuar në identifikimin e tij.
FBI-ja ka ndërmarrë tashmë hapa konkretë, duke vizituar lagjet ku besohet se i dyshuari ka ikur pas krimit.
Hetuesit kanë kontaktuar me dëshmitarë dhe banorë që posedojnë kamera sigurie në dyert e shtëpive, për të mbledhur çdo informacion të mundshëm që mund të çojë në kapjen e të dyshuarit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion që mund të ketë lidhje me çështjen, duke theksuar se çdo detaj, sado i vogël, mund të jetë vendimtar për zgjidhjen e këtij rasti.
