Deputeti Salih Murat me reagim të ashpër ndaj kryetarit të Çashkës: “Deklarata e tij fyes dhe diskriminuese”
Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ka reaguar ashpër ndaj një postimi të bërë më 8 shtator nga kryetari i Komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, në rrjetet sociale.
Murat shprehet se është e papranueshme që në një shtet multietnik e multikulturor si Maqedonia, periudha osmane të etiketohet si “periudha e robërisë turke”.
Sipas tij, një gjuhë e tillë:
- Fyen dhe lëndon thellë komunitetin turk që jeton në Maqedoni,
- Rrezikon paqen dhe harmoninë shoqërore,
- Nxit gjuhë të urrejtjes dhe përçarje,
- Dëmton marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve.
“Në vend që të sigurojë unitet e solidaritet shoqëror si kryetar komune, përdorimi i shprehjeve diskriminuese dhe provokuese nuk përputhet me detyrimet dhe përgjegjësitë e tij”, thekson Murat.
Ai ka kërkuar publikisht që kryetari i Çashkës:
- Të heqë menjëherë postimin nga rrjetet sociale,
- T’u kërkojë falje publike komunitetit turk dhe opinionit të gjerë.
“Në të kundërt, do të jemi të detyruar ta çojmë këtë çështje në instancat ligjore përkatëse”, paralajmëroi deputeti Salih Murat.
