Rama dorëzon kërkesë-padi në Kushtetuese për buxhetin e kryeqytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me nënkryetarin Shkëmb Manaj, dorëzuan sot në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë ndaj Ministrisë së Financave, duke e akuzuar për bllokim politik të buxhetit të kryeqytetit.
Pas dorëzimit të kërkesës, Rama tha se ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, po pengon zhvillimin e Prishtinës me masa që i cilësoi si të jashtëligjshme.
“Kjo qeverisje vetëm bllokada ka bërë për çështje puro politike, ky ministër e ka blloku procesin kur e kanë parë që si kryeqytet po transferohemi. Kanë parë zhvillim dhe si rezultat kanë marrë masa të tjera ilegale. Ato fonde janë tonat dhe të taksapaguesve të kryeqytetit. Ne kemi përgatitur padi të tjera për ministra të tjerë”, tha Rama.
Në të njëjtën linjë, nënkryetari Shkëmb Manaj theksoi se Ministria ka mbajtur të bllokuar për nëntë muaj rresht buxhetin e Komunës së Prishtinës.
“Kjo me argumentin tonë që e kemi ngritë në Kushtetuese, përbën shkelje ligjore sepse cenohet buxhetimi i Komunës dhe vetë qytetarët dhe projektet që duhet të bëhen në kryeqytet. Kjo bllokadë është puro politike dhe ne kërkojmë nga Gjykata që ta trajtojë me seriozitet dhe të lejohet buxheti prej 35 milionë eurosh”, deklaroi ai.
Përplasja mes Komunës dhe Qeverisë për buxhetin ka nisur muaj më parë. Në korrik, Rama e akuzoi ekzekutivin se po pengon qëllimisht funksionimin financiar të kryeqytetit. Në një letër drejtuar ministrit Murati, ai e quajti ndalesën të jashtëligjshme dhe politikisht të motivuar, duke shtuar se Ministria nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhje.
Nga ana e tij, ministri në detyrë i Financave i kishte quajtur gënjeshtra pretendimet e Ramës. Murati kishte sqaruar se buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale deri më 30 shtator, për të qenë më pas pjesë e Ligjit të Buxhetit që qeveria e dërgon në Kuvend deri më 31 tetor. Ai kishte shtuar se vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë së re mund të iniciohen ndryshimet ligjore për përfshirjen e projekt-buxhetit të Komunës së Prishtinës.
Aktualisht, Komuna e Prishtinës po funksionon me buxhetin e vitit paraprak, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar asnjë ligj që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për shkak të ngërçit institucional.
