Përkujtohen dëshmorët e Betejës së Jeshkovës në Prizren
Në Prizren sot u përkujtuan dëshmorët e Betejës së Jeshkovës, një ndër betejat më të rëndësishme të luftës së fundit në Kosovë. Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, qytetarë si dhe përfaqësues të institucioneve lokale.
Në fshatin Jeshkovë, kujtimi për dëshmorët që ranë për liri u rikthye sot përmes një ceremonie përkujtimore të mbushur me emocione. Të pranishmit në këtë përvjetor vlerësuan kontributin dhe sakrificën e tyre, duke theksuar se Beteja e Jeshkovës mbetet një faqe e lavdishme e historisë sonë më të re.
“Është një traditë e mirë që po e përcjellim vit pas viti dhe po e trashëgojmë edhe te gjeneratat e reja, si kujtesë kolektive e luftës sonë çlirimtare dhe heroizmit të shumë burrave”, tha Kujtim Gashi, nënkryetari Komunës së Prizrenit.
“Ne gjithmonë do të përulemi para veprës dhe sakrificës së dëshmorëve e martirëve, duke e ditur se falë gjakut të tyre sot frymojmë dhe bëjmë homazhe për të përkujtuar këtë betejë të lavdishme”, tha Isa Berisha, OVL e UÇK-së, Prizren.
Bashkëluftëtar e të afërm, revokuan kujtime duke ngritur lartë veprat që do t?u mbesin brezave të rinjë.
“Lufta e vitit 1998 ku dy vëllezërit e mi Nuredini dhe Agimi erdhën nga perëndimi në fillim të luftës në Kosovë pasi që edhe shtabi i UCK – së për Prizren ishte i vendosur këtu në fshatin Jeshkovë”, tha Fidan Shala, familjar.
Beteja e Jeshkovës konsiderohet një nga epopetë më madhështore të historisë së kombit tonë, e cila ka pasur dy konfrontime kryesore e para me 1-2 shtator të vitit 1998, dhe e dyta më 11 mars të 1999. Epitetin e dëshmorit e mbajnë 21 luftëtar, ndër të cilët 11 nga ta ende janë të pagjetur.
