Kur mësoja në “Liceun” e vendlindjes time
Shkruan: Bajram MJEKU
Secili nga ne, pavarësisht moshës që kemi, e kujton ditën e parë të shkollës dhe sa herë fillon viti i ri shkollor, është e pamundur të mos rikthehet kujtesa përzier me nostalgji.
Vendlindja ime është e shtrirë nën strehën e maleve të Qyqavicës, por ishte edhe strehë e mësuesve të ndjekur politikisht nga regjimi komunist, prandaj ata vinin me vullnet të punonin në vendlindjen time. Jo rrallë ata mësues të respektuar që i kujtojmë edhe sot me nostalgji, edhe i strehonim në shtëpitë tona, pasi kushtet e udhëtimit atëbotë ishin jashtëzakonisht të rënda.
Ende besoj se familja ime është unikate në Kosovë, pasi dy fshatra janë zhvilluar nga e njëjta familje, prandaj afërsia jonë me mësimdhënësit ishte aq e madhe, sa ekzistonte edhe një lloj konkurrence se cila nga familjet tona, do të ishte më mikpritëse për mësimdhënësit që vinin nga rajone të ndryshme të Kosovës!
Mësimdhënësit tonë të dashur e të mirë ishin dinjitozë, pasi edhe kishin origjinë nga familje fisnike, prandaj edhe punonim shumë që të mos turpëroheshim para tyre!
Njëri nga mësuesit e parë në vendlindjen time ishte mësuesi i ndjerë Asllan Gashi nga Rezalla e Skënderajt. Se sa ishte mësimdhënës i dashur e dinjitoz, flet më së miri fakti, kur prindërit tanë për aq sa ishin gjallë e kujtonin me respektin më të madh.
Mësuesi tjetër i dashur ishte Fetah Bylykbashi nga Baica e Kolshit. E kishim edhe mik të familjes dhe ai ishte nip i ushtarakut të shquar Shefqet Kapedani, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore me baterinë e tij kishte mbrojtur vijën kufitare Prapashticë – Preshevë dhe rezistenca e Tij dhe ushtarëve të tij edhe sot kujtohet si rezistencë epike. Ndonëse në moshë të shtyrë, Fetah Bylykbashi ende jeton me familjen e tij në Prishtinë dhe për respekt ndaj tij, prindërit e mi të ndjerë motrën e vogël e pagëzuan me emrin Shqipe, për respekt pafund që kishin edhe ndaj bashkëshortes së mësuesit Fetah Bylykbashi!
Mësuesja tjetër e radhës ishte Emine Rakovica nga Prishtina. Ishte motra e Hilmi Rakovicës, atëbotë i burgosur politik dhe tash një shkollë në Prishtinë, mban emrin e Tij. Mësuesja Emine, e dashur dhe e bukur, shquhej për përkushtimin e saj në procesin mësimor dhe të gjithëve na trajtonte jo vetëm si nxënës, por sikur të ishim fëmijët e saj.
Mësuesi tjetër ishte Musa Hoti me origjinë nga Likoci i Skënderajt, por që jetonte në Mitrovicë, i cili në vitet tetëdhjetë u bë i njohur edhe për atentatin e tij ndaj një diplomati jugosllav në Bruksel. Musa Hotin përveç si një djalë i dashur, i bukur e muskuloz e kujtojmë edhe për një fakt; nën sakon e tij gjithmonë mbante një pistoletë, pasi ishte njëri nga mësuesit e përndjekur në Kosovë…
Megjithëse kanë kaluar vite, unë ende besoj se shkolla e vendlindjes time ishte një lloj liceu me mësimdhënës të përkushtuar dhe me origjinë nga familje fisnike, të cilat gjatë gjithë historisë sonë, kishin bërë shumë për vendin.
Shumë nga nxënësit e tyre që janë familjarë të mi, kanë mbaruar studimet në universitetet e njohura të Lubjanës, Zagrebit e Sarajevës, prandaj edhe sot jemi krenarë me ata mësimdhënës të shquar, duke besuar se edhe ne i kemi bërë krenarë!
Sot, kur jam duke i shkruar këta rreshta, kam të drejtë të jem i mbushur me trishtim, pasi arsimi në të gjitha nivelet në Kosovë, është duke i vuajtur ditët më të rënda të tij, derisa “Liceu” ku i pata filluar mësimet e para është mbyllur, sepse tash nuk ka asnjë nxënës…
Foto: Në foton e vitit 1971, janë mësimdhënësit Fetah Bylykbashi, Isa Mjeku dhe Sherif Misini nga Korrotica e Ulët e Drenasit.
