Kroacia rregulloi ligjërisht rebelizmin serb
Shkruan: Zejdush KASTRATI
Jemi dëshmitarë kur shumë komentues sugjerojnë se, nëse duam një shtet funksional, Kosova duhet të marrë shembull nga shteti i Izraelit. Unë mendoj: pse shkojmë kaq larg, kur kemi Kroacinë, e cila në mënyrë perfekte dhe përmes rrugëve ligjore ka arritur të fusë nën kontroll territorin e Kninit, Vukovarit dhe vendbanimeve të tjera, ku pati luftë të ashpër serbo-kroate gjatë viteve 1991-1995.
Sot, nuk ka simbole nacionaliste serbe në këto territore, nuk ka bllokada apo provokime, nuk ka diskutime që nxisin urrejtje ndërnacionale, as në pushtetin lokal e as në Sabor. Asnjë lapidar nuk madhëron nacionalistët serbë. Të gjitha këto veprime penalizohen rëndë, dhe kjo dëshmon se edhe kur flitet me serbët lokalë, askush nuk flet keq për Kroacinë dhe jetën e tyre, përveç çështjeve të migracionit që kanë kapluar gjithë rajonin.
Sabori (Parlamenti kroat) ka deputetë serbë, por diskutimet e tyre janë pro-shtetit kroat dhe në linjë me funksionimin e tij. Simiqat, Radojqiqat, Veslinoviqet, Petkoviqat… aty nuk kanë vend, ashtu si tek ne ata që bllokojnë kur duan shtetin dhe bëjnë atë që u thotë Vuçiqi e Beogradi.
Nuk ka zëra nga opozita apo nga shoqëria civile e mediat që të agjitohen në favor të cenimit të subjektivitetit dhe integritetit të Kroacisë, siç ndodh në Kosovë, ku shpesh pretendimet për “rrezikim të të drejtave të serbëve” përdoren për të justifikuar pengimin e shtetit – edhe pse jam i bindur se serbët e Kosovës gëzojnë të drejta edhe më të mëdha.
Marrëveshja ushtarake Kroaci–Shqipëri–Kosovë është e mirëseardhur, por më shumë ngjan si marketing politik. Sindromi i keq që na është instaluar nga Parlamenti i Shqipërisë dhe mediat atje duhet të evitohet. Duhet të marrim shembull Parlamentin dhe institucionet e tjera të Kroacisë, përndryshe historia nuk do të na falë.
Kuptohet, penguesit dhe zaptuesit e proceseve janë shumica që mbajnë poste politike dhe ekzekutive në Kosovë, të cilët për interesa personale, klanore dhe partiake janë në gjendje të viktimizojnë këtë vend.
