Për Vetëvendosjen, Ahmet Krasniqi, Enver Maloku, … nuk ishin viktima shqiptare!

Shkruan: Idriz MORINA

Gjykatë një etnike po e quan Gjykatën Speciale Vetëvendosje, po ashtu edhe Albin Kurti. Këta apo klani Kurti po vazhdojnë të krenohen se nuk e kanë votuar këtë gjykatë “monoetnike”, në kuptimin që po i trajton vetëm vrasjet e serbëve!

Të gjitha mediat e dinë nga takimet paraprake me administratoren e kësaj gjykate në Prishtinë, se ajo do ta trajtojë çdo rast krimi që shkon në gjykatë dhe se potenciali i saj do të rritej me stafë sipas nevojës për trajtimin e rasteve.

Por, për ta bërë të besueshme para opinionit, se kjo gjykatë nuk i trajton vrasjet e shqiptarëve, shqiptarët janë bombarduar me dy të pavërteta:

a) Se nuk i trajton vrasjet e serbëve,

b) Dhe nuk i trajton vrasjet politike, kryesisht të njerëzve të LDK-së.

Derisa për rastin e parë është e vërtetë që vet Gjykata nuk ka hetuar krimet e kryera nga Serbia, qoftë pse nuk është përfillur informacioni dhe qëndrimi i gjykatës që shqiptarët vet t’i dorëzojnë provat, dëshmitë, është edhe çështje e vet Ligjit për Dhomat e Specializuara, që Kuvendi dhe sponzorizuesit e tij, nuk e kanë përcaktuar përparësinë që të hetohen krimet e luftës të kryera nga Serbia dhe krimet e tjera të luftës, që nënkupton ato krime që kryesisht po i heton Gjykata speciale.

Po ashtu me një qasje serioze të partive shqiptare, ndoshta do të kishte mundur të amendamentohej ai ligj!

Por, vullneti dhe qëllimi ka qenë që nëpërmjet këtij argumenti të sulmohet kjo gjykatë dhe të denigrohet nga fillimet e saja! Dhe në emër të këtij patriotizmi të fshihen dhe të margjinalizohen vrasjet politike!

Në këtë pikë sulmet e VV-së nuk dallojnë aspak nga ato të PDK-së!

Gjykata speciale ka thirrur për të dëshmuar dhjetëra familjarë të viktimave të vrasjeve politike, edhe vetë viktimat e mbijetuara, por edhe udhëheqës të lartë në Shtabin ushtarak të UÇK-së, si Bislim Zyrapin që ka dëshmuar hapur edhe për rastin e arrestimit të Blerim Kuqit, i mbajtur dhe i keqtrajtuar me javë!

Por, pavarësisht këtyre dëshmive, këtyre agrumenteve të pandryshueshme, Qeveria Kurti dhe Vetëvendosje, dhe të gjitha platformat e këtij subjekti dhe ato mbështetëse të tij, vazhdojnë ta diskreditojnë Gjykatën speciale, njësoj siç bëjnë mbështetësit dhe partia e drejtuar nga Thaçi dhe Veseli!

Pra, PËR VETËVENDOSJEN, dhe Kurtin, ato viktima nuk i konsideron shqiptarë, dhe me këtë po i ‘paketon’ si serbë, mbase duke i nënkuptuar si bashkëpunëtorë të Serbisë, të vrarët me listat e SHIK-ut, përkatësisht me urdhra të njerëzve të SHTAB-it, p.sh. këto viktima:

– Vrasja e gazetarit Ali Ukës (1997),

– Kolonel Ahmet Krasniqi, i vrarë më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë, ushtrues i detyrës së Ministrit të Mbrojtjes (Bukoshi kurrë nuk e kishte zyrtarizuar emrimin e tij ministër, përveç gojarisht.

– Atentati i plagosjes së trefishtë të profesorit Sabri Hamiti, shkrimtar e studiues i shquar, më 24 shtator 1998.

– Vrasja e Ilir Konusheciy,

– Vrasja e Beadin Hallaqit,

– Sadri Ramqës (ende këta dy të zhdukur)

– Enver Maloku – bashkëpunëtor i Rugovës, shef i QIK-ut, dhe udhëheqës i botimit të Informatorit, gazetë e mbrëmjes, që u ndërpre me vrasjen e tij, i vrarë me 11 janar 1999;

– Blerim Kuqi, për arrestimin e të cilit me 16 janar dëshmon edhe ish-shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi;

– Vrasja e katër ushtarëve të FARK-ut, përkatësisht të brigadës “Mërgimi” rreth datës 24 qershor 1999, Sinan Musaj, Rexhë Osaj, Bashkim Balaj dhe Ramë Idrizaj

– Haki Imeri, veprimtar i LDK-së, mësues me dy fakultete i kidnapuar dhe i ekzekutuar më pas, në nëntor 1999!

– Atentatet e përgatitura ndaj Rugovës, përfshirë atë me eksploziv të 15 janarit të vitit 2005.

– Komandant “Drini”, i vrarë më 8 maj të vitit 2000.

– Shaban Manaj, avokat i vrarë më 23 korrik të vitit 2000, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, etj.

Madje rastin Manaj, VV-ja së fundi është munduar ta kualifikojnë se është kryer me motive jopolitike, duke e lënduar familjen Manaj. Në fakt, është mënyra e vrasjes së tij, ajo që përcakton motivin, vrasje me djegie të kufomës, nuk mund të jetë kryer nga asnjë motiv tjetër, përveç nga ata që projektonin tronditjen e mbështetësve të Rugovës, për të mbjellur ankth e tërror, të cilin e kishin shtrirë cep më cep, në mënyrë që dhunshëm ta vendosnin fatin e Rugovës dhe LDK-së, humbjen në zgjedhje! Me vrasje, plagosje, arrestime, rrahje, kërcënime individuale e kolektive etj.

Ndërsa, pa diskutueshëm, se e ka të njëjtën qasje për të gjitha vrasjet politike, pasi asnjëherë, dhe në asnjë rast, që nga krijimi i Qeverisë Kurti 2, por edhe më parë nuk e ka kërkuar asnjëherë zbardhjen e vrasjeve nga drejtësia e Kosovës, për të gjitha ato, që nuk mund të përfshihen nga Gjykata Speciale, e mandatuar për ngjarjet kriminale deri në fund të vitit 2000!

Kurti dhe VV-ja e kanë akuzuar për gjithëçka sistemtin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjykatat, por asnjëherë për moszbardhjen e vrasjeve politike!

Dhe Gjykata Speciale është krijuar pikërisht për këtë, sepse institucionet, partitë politike, mediat dhe opinioni kanë refuzuar me ngulm, që të mos krijohej një Prokurori për krime lufte, brenda sistemit juridik të Kosovës, që nga koha e UNMIK-ut! Dhe ky refuzim ka çuar në krijimin e Gjykatës speciale, nëpërmjet nenit 20 famoz të Kushtetutës, që pak kush sa unë e ka kundërshtuar, “Bartja e sovranitetit”!

Këtu biejnë vrasjet si e :

– Vrasja e kryetarit të Klinës nga LDK, Ismet Rracit, me 23 prill 2001.

– Xhemail Mustafa, këshilltar i presidentit Rugova, publicist e shkrimtar, i vrarë më 23 nëntor 2001

– Bekim Katratit, kolegut tim të nderuar dhe Besim Dajakut, truproje i presidentit Rugova, si dhe plagosja e Gani Gecit.

– Smajl Hajdaraj, deputet, dhe zv.komandant i UÇK-së për Rugovë, i vrarë në vitin 2002.

– Më vonë vritet edhe kryetari i Suharekës nga LDK-ja, Ukë Bytyçi, udhëheqës në luftë.

– Vriten Kolonel Tahir Zemaj me të birin Enisin dhe kushëririn Hasan Zemaj zyrtar i Forumit Rinor, më 4 janar 2003.

– Vriten dy ushtarë të Koshares, Isuf Haklaj dhe Sebehate Tolaj në atentatin më 24 nëntor të vitit 2003. Haklaj vdes në spital pas pak ditësh. Që të dy ishin polic hetues në SHPK.

– Vrasja e ushtarit të Koshares, dhe policit hetues Hajdar Ahmeti me 6 shtator 2003, 8 ditë para se t’i mbushte 27 vjet.

– Deri tek ndoshta vrasja e fundit politike, ajo e kolegut tim të nderuar Bardhyl Ajetit, (i cili pak muaj para vrasjes, më bënte ftesë të isha në dasmën e tij, që e planifkonte ta bënte brenda disa muajsh).

Presidenti Rugova në konferencë për media, më 8 maj 1998, thoshte se vrasjet e veprimtarëve të LDK-së janë akte të Beogradit.

“Rugova e konsideroi dhunën dhe vrasjen e veprimtarëve politikë dhe humanitar shqiptarë, veçanërisht atyre të LDK-së, si akte të qëllimshme të Beogradit me qëllim të eliminimit të lëvizjes politike në Kosovë”, citohet nga mediat në Kosovë, raporti i asaj kohe i ATSH-së.

Por, pas vrasjes së bashkëpunëtorëve të tij, pas luftës Rugova i bënte hapur thirrje partive rivale, që të përmbaheshin nga dhuna dhe se “vrasjet politike, ishin përpjekje për ta vrarë e penguar Pavarësinë e Kosovës”!

Domethënë se Vetëvendosje, po përdor të gjitha mjetet në dispozicion për moszbardhjen e vrasjeve politike, dhe për amnistinë e të arrestuarve nga Gjykata speciale. Ajo po paguan për të akuzuarit, mbi 32 milionë euro deri më sot, ndërsa nuk ka dhënë asnjë cent, për familjet e viktimave të vrasjeve politike.

U ka dhënë nga 100 euro e më shumë me qëllim të përfitimeve të votave, qeveria Kurti me vendime, pensionistëve, fëmijëve, veteranëve, që ka kushtuar përmbi 150 milionë euro, por kurrë dhe në asnjë rast nuk i ka ndihmuar familjet e viktimave të dhunës politike, dhe as nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë!

A janë pra rugovistë në VV, ata që i mbështesin dhe legjitmojnë shumicën e vrasjeve politike duke miratuar politikat dhe qëndrimet partiake, që i deklarojnë inekzistente vrasjet politike!

Pra, nuk dallojnë aspak në thelb me objektivat e PDK-së për Gjykatën Speciale!


Go to TOP